Një ditë pas kërkesës së kryebashkiakes Voltana Ademi për t’ia lënë Shkodrën një Komisioni Administrativ Europian deri në organizimin e zgjedhjeve të reja vendore, ka reaguar ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Johann Sattler.
Në një postim në Twitter, ambasadori Sattler shkruan se është i hapur për të diskutuar por sipas tij, 2019-ta nuk është viti 1913 kur Shkodra qeverisej nga Fuqitë e Mëdha.
"I hapur për të diskutuar. Por viti 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojitet që sezoni i konfliktit të pasohet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duhet të shkojnë në pushime të qetë".





