Aleksis Tsipras ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme që u zhvilluan të dielën (7 korrik).
Me anë të një telefonate, kryeministri në ikje i Greqisë e ka uruar për fitoren kryetarin e Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis.
Nga ana e tij, kreu i Demokracisë së Re e falënderoi Tsiprasin për telefonatën.
Ceremonia e dorëzimit të detyrës dhe e pritjes do të zhvillohet sot në rezidencën Maximos, menjëherë pas betimit të Kyriakos Mitsotakis në Pallatin Presidencial në orën 13:00.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, të hënën në mbrëmje pritet të bëhet shpallja e qeverisë së re, e cila, pritet të betohet mesditën e së martës.
Tsipras në komentin e parë pas humbjes tha se e respektoi vullnetin e popullit grek që votoi Demokracinë e Re për pushtet.
"Sot, me kokën tonë lart, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot ne morëm vendime të vështira me një kosto të rëndë politike", tha Tsipras.
Cipras mori përgjegjësinë për humbjen e SYRIZA-s dhe u zotua do ta "shndërrojë" atë në një "parti të madhe demokratike progresive".