Aktori i dashur turk, Burak Ozçivit, mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri për rolin e Kemal në serialin “Dashuri e pafund”, ndodhej në një vizitë punë në disa shtete të Lindjes së Mesme.

Burak ndaloi edhe në Bejrut të Libanit, ku përjetoi momente të vështira në një qendër tregtare, ku një turmë e madhe fansash bllokoi hyrjen e aktorit nga dera kryesore.

Momentet e vështira vijuan edhe brenda qendrës tregtare për aktorin turk pasi u përball me një interes të jashtëzakonshëm të fansave të mbledhur për të shkrepur një foto me idhullin e tyre.

Është dashur ndërhyrja e ushtrisë libaneze që Burak Ozçiv të mund të dilte jashtë ndërtesës ku për arsye sigurie aktori "u ngujua" në magazinën e një dyqani për më shumë se dy orë.

Në videot e publikuara dëgjohen ulërimat e fansave dhe të forcave të sigurisë, ndërsa Ozçiv, i cili sezonin që vjen do të jetë aktori kryesor i serialit "Osmani" vazhdim i "Ertugrul", shfaqet me një buzëqeshje në dukje të sforcuar.