Tashmë kur 30 qershori ka disa ditë që ka kaluar dhe në Durrës është e qartë tabloja e ndarjes së votave në votimet e mbajtura atë ditë, vëmendja përqendrohet tek votat e marra nga i vetmi subjekt politik real i përfshirë në garë, Partia Socialiste.

PS-ja arriti të fitonte si në garën për kryebashkiak, ashtu edhe në atë për Këshillin Bashkiak, ku “rrëmbeu” plot 48 këshilltarë. Madje edhe po t’i merrte 51 anëtarët e këshillit nuk do të habitej askush…

Por a është vërtet fituese në Durrës PS-ja dhe a duhet t’i gëzohen socialistët fitores së “paparë” kundrejt rivalëve të Bindjes Demokratike? Them se jo dhe arsyet po i rendis më poshtë.

PS u përfshi në një garë ku përballë kishte një parti të krijuar dhe regjistruar jashtë afateve ligjore për përfshirjen në garën elektorale. Fakti i mospasjes përballë të rivalëve të zakonshëm PD dhe LSI këtë herë nuk ishte për faj të PS-së, por përfshirja në një garë ku partia rivale Bindja Demokratike identifikohej vetëm me kandidaten Valbona Sakollari (e cila për hir të së vërtetës mblodhi më shumë vota vetë si individ, sesa mblodhi partia e saj në garën për Këshillin Bashkiak) nuk është se i bën nder PS-së.

PS në zgjedhjet vendore të 30 qershorit humbi në garë me vetveten. Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë të rezultateve të zgjedhjeve vendore të vitit 2015 me ato të vitit 2019, shifrat flasin mjaft qartë. Në vitin 2015, kandidati Vangjush Dako, që garonte për mandatin e tretë arriti të mblidhte 56.004 vota ose 56.98%. Në vitin 2019, kandidatja Valbona Sako mblodhi 34.150 vota ose 90.67%. Pra rreth 22 mijë vota më pak nga ç'kishte mbledhur Dako 4 vite më parë.

Ndërsa në votat për Këshillin Bashkiak, PS shënon rritje në vitin 2019. Në vitin 2015, PS mblodhi 27.642 vota ose 28.3%, ndërsa në vitin 2019 mblodhi 33.399 vota ose 48 mandate këshilltarësh. Por megjithëse PS mund të mburret se ka rritur votat krahasuar me 4 vite më parë, kjo nuk është aspak e vërtetë. Në vitin 2015, në garën për zgjedhjet lokale, PS ishte në koalicion me LSI, e cila mblodhi 22.442 vota. Në vitin 2019, në listën e PS-së për Këshilin Bashkiak Durrës ishin përfshirë disa nga drejtorët e LSI-së në kohën e “dashurisë” Rama-Meta. Tashmë kur LSI Durrës thuajse nuk ekziston dhe njerëzit e Lefter Kokës janë kthyer në socialist në rastin më të mirë dhe në rilindas në rastin më të keq, votat e tyre sollën një rritje me rreth 6000 vota për PS-në, ndërsa rreth 16 mijë votues të tjerë të kësaj partie zgjodhën bojkotin.

Humbja e PS-së Durrës me vetveten theksohet edhe më shumë nëse bëjmë një krahasim me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, ku PS nuk kishte më përkrah LSI-në por ishte e përfshirë në koalicion me një mori partish të vogla.

Në vitin 2017, vit që është bërë i famshëm në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë pas daljes në media të përgjimeve të dosjes 339, PS arriti një rezultat ‘historik’ prej 48.288 vota ose 48.41%. Krahasuar me votat e 2017, PS-ja e Durrësit në 30 qershor ka “humbur” rreth 15 mijë vota. A janë këto vota të munguara në 30 qershor 2019 vota të fituara 2 vite më parë nga Avdylajt, të cilët mburreshin se do të siguronin një rezultat 10 me 0 për Edi Ramën kjo mbetet për t’u parë…

Pas këtyre shifrave kokëforta, aspak në favor të saj, ajo që dihet me siguri është që në 30 qershor dhe në ditët në vijim PS-ja e Durrësit nuk kishte asnjë motiv për t’iu gëzuar fitores së “paparë” në garën për kryebashkiak dhe Këshillin Bashkiak.

Për të mos folur këtu për përqindjen e votuesve që ju drejtuan kutive të votimit në datën 30 qershor. KQZ-ja në rezultatet paraprake për pjesëmarrjen në votime deri në orën 19.00 e raportonte Durrësin me 35.062 votues, ose 13.94%. Më pas, numri i votuesve shkoi në 40.684 ose 16.18%. Duket se komisionerët e PS-së nuk kishin ditur të llogarisnin mirë shifrat e pjesëmarrjes dhe t’i raportonin ato në mënyrë të saktë në KQZ, megjithëse e kontrollonin vetë procesin që nga minuta e parë e deri në të fundit!

Kryeministri Rama ka paralajmëruar gjatë muajit korrik analiza të thelluara në degët e rretheve për rezultatin e 30 qershorit, analizë e cila pritet të përmbyllet në Asamblenë e përgjithshme të PS-së.

Duket se në këto ditë të nxehta vere, drejtuesit e PS-së së Durrësit nuk do të gjejnë rehat derisa të gjejnë një përgjigje se ku dhe pse i firuan votat në 30 qershor!!!

Rezultatet në zgjedhjet vendore 2015

PS – 27.642 vota –  28.3%

LSI – 22.442 vota – 22.75%

PD – 25.439 vota – 25.79%

100.883 votues nga 233. 509 në total –  43% e votuesve morën pjesë

2249 vota të pavlefshme për këshillin

2601 vota të pavlefshme për kryetarin

Kandidatët në garë

Vangjush Dako – 56.004 vota – 56.98%

Grida Duma  –  42.284 vota  – 43.2%

Rezultatet në zgjedhjet lokale 2019

PS – 33.399 vota për KB – 48 mandate

BD – 1463 vota për KB – 2 mandate

40.684 votues morën pjesë – 16.18% pjesëmarrja

37 951 vota të vlefshme

2733 vota të pavlefshme

Kandidatet në garë:

VALBONA SAKOLLARI (BD) 3,513 vota (9.33%)

VALBONA SAKO (ASE) 34,150 vota (90.67%)

Rezultatet në zgjedhjet parlamentare 2017

PS  – 48.288 vota – 48.41%

LSI  – 17.364 vota – 17.41%

PD – 27.467 vota – 27.53%

M.B.