Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, është shprehur se të gjithë kryebashkiakët e djathtë nuk do të lirojnë zyrat pasi nuk i njohin zgjedhjet e 30 qershorit. Pas takimit që patën me kryedemokratin Lulzim Basha, Kapllanaj deklaroi në një prononcim për mediat se janë gati për zgjedhje të ndershme më datë 13 tetor dhe personi që do të fitojë do t’i shtrëngojnë dorën.

Me këtë vendim, Kapllanaj i parapriu Bashës, i cili në një takim që pati me presidentin Ilir Meta, pasi ky i fundit dekretoi datën 13 tetor si një datë zgjedhjesh u shpreh se Partia Demokratike nuk futet në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës.

Kapllanaj komentoi më tej zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i konsideroi nul. Ai u shpreh se pasardhësi i tij nuk mund të jetë një person që ka marrë vetëm 13% të votave.  

30 qershori është nul, ishin votime për Partinë Socialiste dhe jo zgjedhje. Pasardhësi im nuk mund të jetë njëkandidat i PS-së që ka marrë 13 % të votave, aq janë vetë anëtarë të PS-së. ai është kryetari i militantëve të PS-së në atë zonë, nuk është i qytetarëve

Ky është vendim i marrë, i bërë i ditur edhe nga opozita nga kryetari. Këto zgjehdje nuk njihen. Kur të bëhen zgjehdje të ndershmemë datë 13 tetor siç ka vendosur presidenti atëherë do t’i njohim. Kush të fitojë, do t’i liroj zyrën dhe do t’i shtrëngoj dorën,”- tha Kapllanaj.

I pyetur nëse zgjedhjet do të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor Kapllanaj tha: Ka persona që po merren me këtë punë.

Ndërsa përsa i përket aksionit opozitar në vijim, kryebashkiaku i Mallakastrës la të nënkuptohet se do të rinisin protestat.

“Datën do ta merrni vesh shumë shpejt,”- tha Kapllanaj.

Ndërkohë kreydemokrati Lulzim Basha po zhvillon një takim me krerët e degëve të PD-së.

Më herët, Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz është shprehur se nuk e liron zyrën e tij. 

Tri ditë më parë në të gjithë Shqipërinë u zhvilluan zgjedhje lokale ku opozita nuk mori pjesë. Mazhoranca socialiste mori në drejtim 60 bashki, ndërkohë që Basha tha se fitoi sovrani që refuzoi të merrte pjesë. Pjesëmarrja përfundimtare në zgjedhje është 22.6%, ndërkohë që Rama e ka quajtur fitore të shtetit.