Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 35-vjeçarin e arrestuar dy ditë më parë për grabitjen e Paskuqanit. Para togave të zeza, ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen.
“Maskat i kam qejf dhe i përdor për Halloween, pasi festoja i hidhja poshtë. Kjo mund të jetë një nga ato maskat”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Kësisoj, nuk ka thënë asnjë fjalë as për bashkëpunëtorin e tij në grabitjen e argjendarisë më 5 gusht. Ky i fundit është ende në kërkim nga blutë.
Kujtojmë se 35-vjeçari u arrestua në flagrancë në Qafë-Thanë teksa po mundohej të largohej nga Shqipëria. Ai ishte ndjekur e përgjuar për disa ditë nga policia, metodë kjo për të rënë në gjurmët e shokut të tij.
Siç mund ta shihni në video, policia sekuestroi një armë zjarri automatike, veshjet, maskat e silikonit dhe një krehër me fishek. Këto të fundit, u zbuluan pas kërkimeve intensive një ditë pas grabitjes (6 gusht), në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur.
4 ditë pas ngjarjes, ashtu siç e kemi raportuar më herët, në vendin e quajtur “Liqeni i Qinamit”, është gjetur edhe motomjeti i përdorur për arratisjen nga vendi i ngjarjes.
Autorët, të maskuar, morën sende me vlerë rreth 1.5 milionë lekë të rinj, vlerë kjo e përllogaritur nga policia dhe pronari i argjendarisë. Atë ditë, ata u arratisën përmes rrugicave periferike të Kamzës, çka la të kuptohet se e njihnin mjaft mirë zonën.





