Gjithë këto ditë qytetarët shqiptarë i ka shoqëruar pyetja: A mund të ketë dhunë gjatë procesit zgjedhor? Qytetarët e dinë mjaft mirë që pavarësisht të qenit kundërshtarë politikë jemi të gjithë shqiptarë dhe e duam vendin tonë. Duke qenë se ligji është i qartë dhe dhunë nuk mund të ketë mbetet vetëm të mendojnë, se si të sajojnë gënjeshtrën e rradhës, për të kthyer vëmendjen e opinionit publik aty ku nuk duhet të jetë.
Por shijaksit, si gjithmonë e dinë të vërtetën. E dinë të gjithë që unë mbrëmë deri në orët e vona, si dhe sot gjatë gjithë paradites kam qëndruar afër familjes së një miku të mirë, një djali të ri, që aksidentalisht u nda nga jeta. Përveç momentit kur votova së bashku me familjen time nuk kam qenë prezent në asnjë qendër votimi dhe kjo është një gjë lehtësisht e konstatueshme nga të gjithë qytetarët që më njohin mjaft mirë.
Të nderuar manipulues të të vërtetës, ju që keni Bindjen të thoni gënjeshtra në ditë me diell, po ju informoj se për herë të dytë keni gabuar me akuza përkundrejt figurës time politike. Nga ju nuk më habit asgjë, kur shpesh merrni përsipër rolin e prokurorëve me akuza të pabaza e të paqena, ju disinformoni opinionin publik. Ju ftoj t’i jepni fund aventurave tuaja fëminore, për të cilat duhet të mbani përgjegjësi publike dhe ligjore.
Dita e sotme po shkon me qetësi dhe normalitet, votimi po shkon mëse normal brenda të gjitha rregullave dhe nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët votues për qetësinë e treguar në këtë proces mjaft të rëndësishëm për vendin, gjithashtu dëshiroj të ftoj të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi deri tani të drejtohen drejt kutive të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës.





