Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga 30 qershori, data kur do të mbahen zgjedhjet lokale aq shumë të kontestuara dhe të mospranuara nga opozita e bashkuar, në Durrës fushata e dy kandidateve në garë për bashkinë e qytetit vijon normalisht.

Deputetja e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, e cila ka ndjekur nga afër fushatën e kandidates së PS-së, Valbona Sako dhe ka asistuar në shumë prej takimeve elektorale të zhvilluara në zona të ndryshme të qytetit e pranon se kjo ka qenë një fushatë ndryshe, një fushatë jo tipike krahasuar me 5 fushatat e mëparshme ku ka marrë pjesë vitet e kaluara.

Sipas Spahiut, fakti që për herë të parë në Durrës kandidojnë dy femra dhe në fund të garës do të dalë kryebashkiakja e parë e qytetit bregdetar është shumë domethënës.

“Kandidatja Valbona Sako ka zhvilluar një fushatë model dhe kur të jetë kryebashkiakja e ardhshme e qytetit do të vërë në zbatim apo do të ndjekë nga afër realizimin e disa prej projekteve më të rëndësishme që janë drejt finalizimit apo presin të marrin udhë. Në Durrës kemi disa projekte të rëndësishme; Ekoparku në Porto Romano, finalizimi i investimit në ujësjellësin e Durrësit, përfundimi i rikonstruksionit të pishinës, rikonstruksioni i shëtitores “Taulantia” apo ndërtimi i shëtitores tek Shkëmbi i Kavajës. Janë investime që do të kenë impakt në jetën e të gjithë qytetarëve dhe do t’i vijnë në ndihmë zhvillimit të sektorit të turizmit”, tha Spahiu për DurrësLajm.

Ndërsa situata politike duket e tensionuar me afrimin e datës 30 qershor, Spahiu thotë se trazirat “nuk janë në të mirë të qytetarëve durrsakë. Shpresoj që në një moment të caktuar, çdo qytetar që bëhet pjesë e kësaj proteste t’i bëjë thirrje ndërgjegjes dhe do të pyesë: Ku na çon kjo rrugë?”

Deputetja shpreson që data 30 qershor të jetë një ditë e qetë, ashtu si në fushatat e tjera zgjedhore dhe njerëzit t’i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre për ata që do t’i qeverisin në 4 vitet e ardhshme në nivel lokal.

Ndërkohë, përsa i përket përgjimeve të publikuara në të përditshmen gjermane “Bild”, sidomos gjuhës së përdorur në komunikimet mes zyrtarëve të shtetit shqiptar, në dosjen 184 të Dibrës, Spahiu deklaron se është kategorikisht kundër përdorimit të kësaj gjuhe.

“Unë nuk jam natyrë që përdor një komunikim të tillë. Për këdo, në zhargonin e tij të përditshme nuk duhen përdorur fjalë të tilla. Edhe në biseda të një rrethi të ngushtë shoqëror nuk duhet përdorur një gjuhë e tillë. Unë jam kundër bisedave të tilla. Por që biseda të tilla të përdoren për t’i hedhur benzinë zjarrit nuk besoj se i shërbejnë askujt”,– deklaron deputetja e Durrësit.

“Nëse opozita do të kishte qenë konstruktive, çdo gjë do të kishte shkuar më mirë”, thotë Spahiu.

Intervistën e plotë të deputetes Klodiana Spahiu e ndiqni në videon e mëposhtme.

M.B.