56-vjeçari Lavdosh Sulo, i cili ditën e djeshme vrau gruan e tij 44-vjeçare Laureta Sulo, për xhelozi u arrestua i larë në gjak pak metra larg vendit të krimit.
Ai është shfaqur mjaft i rënduar psikologjikisht në momentin e arrestimit por edhe më pas, ndërsa burime nga policia e Vlorës kanë konfirmuar se 56-vjeçari e ka pranuar krimin duke dhënë edhe motivet. "Ishte mjaft i rënduar, në momentin e arrestimit, ishte i mbuluar i tëri në gjak", konfirmojnë burime nga policia e Vlorës.
Mësohet se çifti kishte prej kohësh konflikte. Pas vrasjes së gruas Lavdoshi ka tentuar të shkojë edhe deri tek lokali pranë banesës dhe servisit që kishin në pronësi të tyre, ku edhe ndodhi ngjarja, por më pas ka telefonuar policinë.
“E vrava sepse dyshoja se më tradhtonte, madje për këtë kishim pasur disa herë konflikte. Dyshoja se kishte lidhje me tjetër njeri. Konfliktet ishin të vazhdueshme, por nuk mund të duroja me tradhtitë”, mësohet se ka deklaruar në polici 56-vjeçari Lavdosh Sulo, sipas burimeve nga grupi hetimor.
Ngjarja e rënde ndodhi të martën në mesditë në afërsi të fshatit Babicë të Vlorës, në banesën e çiftit Sulo, të cilët kishin në pronësi edhe një servis automjetesh.
Çifti kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë dhe pista kryesore e policisë është ajo e vrasjes për shkak të xhelozisë. Duket se vrasja ishte paralajmëruar, pasi pak ditë me parë, vëllai i autorit të ngjarjes, Arben Sulo ka tentuar të qëllojë me armë zjarri në Alikokë të fshatit Babicë, personin me të cilin dyshonin se kishte lidhje 44-vjeçarja, madje që kishin edhe lidhje gjaku me njeri-tjetrin.





