Reperi Stresi i cili feston sot 33-vjetorin e lindjes, është pritur me duartrokitje nga miq dhe familjarë të cilët kanë pritur lirimin e tij jashtë dyerve të qelisë në burgun e Fushë-Krujës.

Vetë reperi ka postuar një video në Instagram nga ky moment ku shkruan:

"Nuk thyhem para sfidave çfarëdo qofshin ato dhe sot në orën 00:00 me familjen time ,miqtë dhe të afërmit ditlindjen time e ndaj me ju sepse ju më ishit pranë gjithmonë në kohë të mira dhe të vështira.Dhurata mē e mirë qe morra për ditēlindje ishte LIRIA !! I JUAJI ARKIMED LUSHAJ (STRESI)"

Stresi u lirua tetë muaj pas ndalimit nga policia. Ai u arrestua më 17 tetor të vitit të kaluar në një hotel në zonën e Linzës me armë dhe kokainë. Gjatë kontrollit blic, Stresit iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël kokaine, një armë zjarri pistoletë e tipit “Beretta” si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm. Drejtësia e ka dënuar Stresin vetëm për armëmbajtje, ndërsa akuza për kokainën dhe grup kriminal ka rënë duke u dënuar me 3 vite burg nga gjykata. Si pasojë e gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai u dënua me 2 vite, ndërsa u lirua nga gjykata pas tetë muajsh burg me argumentin se nuk përbën rrezikshmëri.