Menjëherë pas reagimit të kreut të PD-së, për arrestimin e drejtuesve lokalë të kësaj force politike, konkretisht në Librazhd dhe Përrenjas dhe ish-deputetit Aurel Bylykbashki, është bërë e ditur se Basha ka thirrur në orën 12:00 një takim me aleatët.
Më pas në orën 18:00, do të bëjë një mbledhje të jashtëzakonshme me kryesinë e Partisë Demokratike, Grupit Parlamentar, Kolegjit të Kryetarëve dhe Kryetarëve të Bashkisë, për caktimin e detajeve në lidhje me aksionin politik që do të marrë gjatë këtyre ditëve, duke paralajmëruar edhe një protestë në ditët në vijim.
“Sot, në orën 18.00, mbledhje e jashtëzakonshme e Kryesisë se PDSH, Grupit Parlamentar, Kolegjit te Kryetareve dhe Kryetareve te Bashkise, me rend dite: Caktimi i detajeve te vijimit te aksionit politik, si dhe reagimi i PD pas arrestimeve politike te drejtuesve te PD ne qarkun Elbasan. Lutem te merren masat per te qene prezent pa asnjë mungese”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD-së.
Mes të arrestuarve janë kryetari i Degës së PD-së Librazhd Bujar Vreto, ish-deputeti Aurel Bylykbashi, sekretari i PD Librazhd, Erlind Gurra, kreu i PD Përrenjas Arjan Karriqi, si dhe sekretari i PD Prrenjas, Leonard Ozuni.





