Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të drejtuesve të PD-së në Librazhd dhe Prrenjas pas protestave të organizuara kundër kryeministrit Rama në këto dy qytete, duke i cilësuar si përpjekje për të frikësuar opozitën.
Për Lulzim Bashën, këto akte janë vijnë nga një regjim represiv dhe jo nga një vend demokratik.
“Këto veprime janë reprezalje të hapura ndaj kundërshtarëve dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës. Ato vijnë pas arrestimeve dhe ndalimeve të 500 mbështetësve të opozitës. Mbeten akoma në burg në mënyrë të paligjshme mbi 50 qytetarë. Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo të një vendi evropian. Sistemi i drejtësisë është shpartalluar, Parlamenti është shpartalluar. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik jashtë Kushtetutës. Pasi vuri nën kontroll të gjitha pushtetet, tani po i përdor për të ushtruar dhunë ndaj kundërshtarëve. Në këtë aventurë, Edi Rama mbështetet nga Sandër Lleshaj dhe Arta Marku. Ju bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjejnë veten pjesë të ligjit që të mos u binte urdhrave të paligjshme të autokratit të inkriminuar, Edi Rama. Këto akte thjesht po thellojnë me shpejtësi gropën ku ka rënë Edi Rama. Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas deri në triumfin e demokracisë ndaj narkoshtetit”, deklaroi Basha.
23 të proceduar ndër ta 7 janë arrestuar pas protestës së organizuar pasditen e 13 qershorit në hyrje të qytetit të Librazhdit si dhe Përrenjasit kundër kryeministrit Rama, teksa ky i fundit do të zhvillonte edhe takime elektorale në këto qytete.
Mes të arrestuarve janë kryetari i Degës së PD-së Librazhd Bujar Vreto, ish-deputeti Aurel Bylykbashi, sekretari i PD Librazhd, Erlind Gurra, kreu i PD Përrenjas Arjan Karriqi, si dhe sekretari i PD Prrenjas, Leonard Ozuni. (lexo: I zunë rrugën Ramës, arrestohen funksionarët e PD-së në Librazhd)





