Kreu i qeverisë Edi Rama ka konsumuar kafen e mëngjesit me banorë të njësisë administrative nr.11 në Tiranë, bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe deputetin e PS-së, Ulsi Manja.

Duket se lëvizja e fundit e Presidentit Meta ka bërë që Rama të mendojë ndryshe për Bujar Nishanin të cilin e ka quajtur burrë shteti për ligjshmërinë e tij, në kohën kur Rama dhe Basha diskutonin për marrëveshjen e majit të 2017-s.

Gjatë kafes, një nga qytetarët e pyeti Ramën se çfarë fati do të ketë Presidenti Meta, por Rama ia la Ulsi Manjës, si kryetar i Komisionit të Ligjeve që të përgjigjet. “Ditën e hënë futet në furrë, o piqet o digjet”, ka ironizuar Manja.

BISEDA

Qytetari: Çfarë do bëhet me presidentin?
Rama: Pyet Ulsiun, ai është kryetari i Komisionit të Ligjeve.
Manja: Ditën e hënë futet në furrë, o piqet o digjet…
Rama: Si qenka kjo, unë firmos, unë çfirmos. Gaboi shumë, gaboi. Por ishte pjesë e planit, nuk ishte lajthitje. Akt i padëgjuar nga presidenti. Kur bëra marrëveshje me Bashën, zyra e Nishanit na mori në telefon, sillni në letër konsensusin për datën e zgjedhjeve. Pas letrës Nishani, nxori dekretin. Erdhi puna të duket Bujar Nishani burrë shteti. Për hir të vërtetës, pavarësisht se çfarë fliste, tek dekreti zbatonte ligjin. Ashtu veproi edhe me Xhafajn. Nga baza ligjore nuk ka lëvizur.