Gjatë mocionit në Kuvend për dekretin e presidentit Ilir Meta që shfuqizoi datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama duke u kthyer pas në kohë, në ditën kur e votoi Metën si President deklaroi se nuk është penduar për këtë veprim.
Por Rama tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë që Meta do kalonte tej çdo imagjinate. Sipas kreut të qeverisë, presidenti e ka humbur tashmë të drejtën për të qëndruar në atë zyrë.
"Kur e zgjodha President shumë kush më ka kritikuar. Në Facebook më zhdëpin për Ilirin, sa bën ai paudhësitë më përvishen mua të gjithë. Nuk jam penduar, po të kthehesha mbrapsh në kohë do bëja prapë të njejtën gjë për shumë arsye. Ky është rasti për t’ju kujtuar të gjithëve se Ilir Meta u zgjodh president me votat e tij. Votat tona mund ta pengonin, por s’mund të zgjidhnim tjetër me votat tona. Por se do ta kthente këtë zgjedhje për të udhëhequr një plan çoroditës të orkestuar bashkë me Saliun këtë se kisha imagjinuar. Ka kaluar tej çdo imagjinate, nuk mund të tolerohet. Ai e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë",- tha Rama.





