Në përfundim të seancës për Kosovën në Kombet e Bashkuara të hënën, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç i është afruar nga pas ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila bashkë me delegacionin që e shoqëronte, ishte duke biseduar me përfaqësuesit e Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe i është drejtuar duke iu referuar fjalimit të saj. Zëri i Amerikës publikon videon nga ky moment.
“Pavarësia e Kosovës nuk është produkt i një lëvizjeje për shkëputje. Pavarësia e saj është produkt i dekolonizimit”, tha ambasadorja Çitaku në seancë. “Për çfarë kolonizimi e ke fjalën? Kolonizatorët janë ata me të cilët je ulur”, thotë zoti Daçiç në serbisht.
Ambasadorja Çitaku ishte ulur me përfaqësuesit e Britanisë dhe Shteteteve të Bashkuara me të cilët ajo po bisedonte. Ambasadorja tha Zërit të Amerikës se zoti Daçiç e ndërpreu bisedën me ofendime te zhurmshme dhe të përsëritura.
“Unë isha e ulur me shpinë dhe (ministri i Jashtëm serb) Ivica Dacic filloi të flasë pas meje me zë të lartë”.
“Duke u munduar te me denigrojë mua personalisht si dhe Ambasadoren (Teuta) Sahatqija, e posaçërisht miqtë tanë nderkombetarë, zoti Daçiç sillej në selinë e Kombeve te Bashkuara sikur të ishte në kafene”, tha ajo. Ambasadorja Çitaku tha se ajo vetë as nuk u kthye dhe as nuk reagoi.