Kryeministri Edi Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare në Bruksel, në krye të një delegacioni qeveritar. Gjatë kësaj vizite priten takime të rëndësishme me zyrtarë të Bashkimit Europian. Sipas axhendës së kësaj vizite të planifikuar dhe parashikuar më herët, pritet që kryeministri Rama të takohet sonte në orën 19.00 me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe më pas të dy të dalin në një konferencë shtypi.
Në Parlamentin Europian, ndërkaq po zhvillohet eventi “Shqipëria dhe perspektiva e saj europiane” me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të kabinetit qeveritar, raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, në mbarim të mandatit si eurodeputet, si dhe eurodeputetes Monica Makovei. Fleckenstein ka deklaruar se është informuar me vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për çdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe reagimet e shumta lidhur me këtë vendim.





