Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar një mbledhje urgjente pas vendimit të Presidentit Ilir Meta që sot firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar.
KQZ do të mblidhej në orën 12:00, por teksa kryetari Klement Zguri e shtyu mbledhjen me dy orë, për në 14:00, pa dhënë sqarime për median për ketë vendim. Por në fillim të mbledhjes ai deklaroi se ajo çfarë po bën KQZ është një sfidë ndaj Presidentit, e për këtë arsye braktisi mbledhjen.
Zguri e konsideroi këtë një nonsens juridik dhe të paprecedentë. Ai tha, duke treguar Kodin Zgjedhor:
“Refuzoj ta shqyrtoj këtë. A mundemi ne si komision ta zgjidhim këtë?!
Për mua është një lloj sfide që i bëhet dekretit të Presidentit. Unë nuk e gjej me vend se mund ta drejtoj këtë mbledhje të KQZ pa sens juridik. Kështu që të jem i qetë vetë në një paqartësi të madhe dhe jam i detyruar të çohem dhe t’ua le kolegëve të mi.”
Në vijim të saj, nënkryetari i KQZ, Denar Biba e vlerësoi si të pavlefshëm dekretin e Presidentit Meta.





