Teksa shpjegoi se anulimi i datës së zgjedhjeve vendore është zgjidhja emergjente për të shmangur destabilitetin e vendit, në konferencën e jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës nuk la pa përmendur edhe regjistrimin e Bindjes Demokratike.

Kreu i Shtetit tha se regjistrimi i Bindjes Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është bërë përtej afateve ligjore.

"Referuar parimeve kushtetuese dhe qëndrimeve të Gjykatës Kushtetuese, nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të planifikuara për në 30 qershor 2019, merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve iu cenohet ushtrimi efektiv i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur.

Kjo situatë bëhet edhe më absurde, referuar faktit që për këto zgjedhje në më shumë se në gjysmën e njësive të qeverisjes vendore konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si Kryetar Bashkie, ndërkohë që për pjesën tjetër konkurrohet me kandidatë të propozuar nga një forcë politike e regjistruar në minutat e fundit në sistemin gjyqësor, dhe e regjistruar pranë KQZ-së përtej afateve ligjore.

Kjo gjë tregon qartë se, ky proces zgjedhor është fiktiv dhe është një element shtesë që provon faktin se standardet demokratike të kërkuara për plotësim jo vetëm që nuk mund të përmbushen, por po shkelen në mënyrë flagrante."