Kur të gjithë i trembeshin përshkallëzimit të tensionit në protestën e 8-të kombëtare të opozitës së bashkuar, anulimi i dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve në datë 30 qershor nga ana e presidentit Ilir Meta, shërbeu që “gjakrat” të qetësoheshin dhe opozita ta konsideronte atë si një fitore të parë, pas 7 protestash kombëtare të mbajtura që nga 16 shkurti. Për kreun e PAA-së, Agron Duka, vendimi i presidentit shmangu një përplasje të mundshme mes palëve. Sipas tij, rreziku për konfrontime ekziston ende, por vendimmarrja e presidentit krijon një “shteg” që palët të shkojnë drejt dialogut. Ndërsa Rama duket i vendosur të shkojë drejt zgjedhjeve të datës 30 qershor dhe po kryen lëvizjet e para për shkarkimin e presidentit Meta, Duka shprehet se reagimi i opozitës ndaj kryeministrit do të jetë i njëjtë.
“Në kundërpërgjigje të dëshirës për pushtet absolut, ne do të përgjigjemi me rezistencë qytetare”,-deklaron Duka.
Kreu i PAA-së, në një intervistë të gjatë për DurrësLajm, flet edhe për përgjimet e publikuara nga gjermania “Bild”, përgjime këto që sipas tij “legjitimojnë aksionin opozitar dhe hedhin dritë mbi lidhjen simbiotike të mazhorancës me krimin”.
“Pushteti të transformon dhe të bën edhe pa kujtesë”,- deklaron Duka i pyetur mbi akuzat e ngritura pak ditë më parë nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, për lidhjet e tij me Avdylajt në fushatë, ndërsa nënvizon se do të kandidonte për bashkinë vetëm nëse kërkesa do të vinte nga grupimi opozitar dhe nuk do të kishte kandidat alternativ. Edhe pse një nga mbrojtësit më të zjarrtë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, Duka shprehet se nëse arrihet një marrëveshje mes palëve dhe nuk do të jetë koha e mjaftueshme për të bërë ndryshimet e kërkuara, PAA do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Intervista:
Presidenti Ilir Meta njoftoi vetëm pak minuta para nisjes së protestës së opozitës anulimin e dekretit të tij për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në datë 30 qershor. Si e lexoni këtë lëvizje të presidentit Meta?
Në kushtet në të cilat ndodhet vendi, nga pikëpamja politike dhe institucionale, në mungesë të ndarjes së pushteteve, pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese, me një krizë të thellë besimi midis palëve, Presidenti u ngrit në lartësinë e detyrimeve kushtetuese. Si garant i unitetit kombëtar, ai shmangu një përplasje të mundshme midis palëve. Në fund të fundit, një datë nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa paqja sociale.
Ju keni zhvilluar së bashku me kryetarë të partive të tjera të vogla takim me presidentin Meta, ku i patët kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Pse erdhi pikërisht në këtë kohë vendimi i presidentit?
Ne si ‘Grupim i Qendrës së Djathtë’, në vazhdimësi të aksionit të opozitës së bashkuar, zhvilluam atë takim me Presidentin pikërisht për të nxitur një vendimmarrje nga ana e tij si i vetmi autoritet kushtetues. Afrimi i 30 qershorit dhe pamundësia për të gjetur në këtë moment një zgjidhje politike, e detyroi Presidentin të marrë këtë vendim të rëndësishëm. Rreziku i konfrontimit ishte tejet i lartë, për këtë arsye momenti i zgjedhur prej tij krijon kushtet për një çtensionim të situatës dhe mund të çojë palët drejt dialogut.
Cili do të jetë hapi i rradhës i opozitës së bashkuar, pasi kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë e tij për të shkuar në zgjedhje në 30 qershor?
Detyra jonë është të vazhdojmë qëndresën. Vullneti i kryeministrit për të vijuar fushatën është një gjest arrogant, pasi dëshmon se pavarësisht krijimit të një ‘shtegu’ nga ana e Presidentit, ai nuk kërkon zgjidhje të krizës, por realizimin e qëllimit të tij politik, kapjen e të gjitha pushteteve, përfshirë këtu edhe atë vendor. Në kundërpërgjigje të dëshirës për pushtet absolut ne do të përgjigjemi me rezistencë qytetare.
A mendoni se vendi do të shkojë në përplasje civile nëse pavarësisht gjithçkaje zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Çfarë lëvizje duhet të bëjnë palët pas vendimit të presidentit Meta?
Rreziku ekziston, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se konteksti po ndryshon. Reagimi i parë ndërkombëtar ndaj vendimit të Presidentit, është ai i nënkryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU, i cili e vlerësoi pozitivisht. Qartësisht jemi përballë një momenti të ri politik dhe palët, edhe sipas gjermanëve, duhet të gjejnë rrugën e pajtimit. Në këtë sens, gjykoj që pavarësisht instikteve të mazhorancës për ta kundërshtuar këtë vendim, në mungesë të autoriteteve të nevojshme, si Gjykata Kushtetuese, për të gjykuar mbi vendimin e Presidentit, rruga më e drejtë në interes të stabilitetit, është gjetja e një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse.
Publikimi i përgjimeve të dosjes 339/1 nga e përditshmja gjermane Bild tronditi jo pak politikën dhe opinionin publik. Sipas jush, çfarë përfaqësojnë këto përgjime?
Përgjimet treguan atë që të gjithë ne kemi pohuar ndër vite, lidhjen simbiotike të mazhorancës me krimin. Për më tepër, legjitimojnë, duke dhënë prova të pakontestueshme, aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe djegien e mandateve.
Në 2017, ju keni qenë vetë i përfshirë në garën për zgjedhjet parlamentare. Nga ajo që keni konstatuar në terren në atë kohë, nëse do të bëhen publike përgjime të tjera a duhet të presim skandale edhe më të mëdha?
Në çdo vend të botës, ato që kemi dëgjuar deri më tani, do të mjaftonin për largimin e një qeverie. Megjithatë, të gjithë e marrin me mend se çka qendron mbrapa telefonatave, është edhe më e rëndë. Sigurisht, nëse publikimi i përgjimeve vijon, ekziston mundësia që të tjerë përfaqësues të lartë të mazhorancës të jenë të përfshirë në to.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ju ka akuzuar se i keni pasur Avdylajt në krah kur jeni zgjedhur deputet dhe njëkohësisht deklaroi se ju keni lëkundje mendore meqë keni garuar për parti të ndryshme. Keni një reagim për këto deklarata?
Pushteti të transformon dhe të bën edhe pa kujtesë. Megjithatë nuk kam ndërmend t’i hyj një gare fjalësh, kur historia dhe faktet tregojnë natyrën reale të gjërave, madje edhe në gjuhë të huaja në një gazetë që lexohet nga të paktën 3 milionë gjermanë.
Në media disa herë është lakuar emri juaj si kandidat potencial për bashkinë e Durrësit, nëse opozita do të marrë pjesë në zgjedhje. Dy kandidatet aktuale në garë për bashkinë janë duke zhvilluar fushatën e tyre prej më shumë se një jave. Keni ndonjë mendim për kandidatet Sako dhe Sakollari?
Nuk njoh asnjë nga dy zonjat. Sa i përket kandidimit tim është diçka që është kthyer në ritual në Durrës pasi sondazhet, edhe në 2015, më kanë nxjerrë si kandidat favorit nga rreshtat e opozitës. Megjithatë kjo gjë nuk përkon me ambicien time, dhe e vetmja gatishmëri që kam shprehur publikisht kohët e fundit ka qenë e lidhur me një kërkesë që mund të vinte në drejtimin tim nga grupimi opozitar, nëse nuk do të kishte kandidat alternativ.
Në 2017, fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, ju deklaruat se nuk do të merreshit më me politikë dhe se strukturat e PD-së në Durrës ishin gati gati inekzistente gjatë fushatës. Kohët e fundit jeni shumë aktiv, jo vetëm në politikë por edhe në media. Çfarë ka ndryshuar në harkun kohor të dy viteve?
Politika nuk është profesion, por pasion dhe detyrë ndaj njerëzve që të kanë dhënë votën dhe të kanë besuar. Edhe nëse përfaqësimi nuk realizohet, si pasojë e një gare jo të drejtë si ajo e vitit 2017, nuk mund të heqësh dorë nga detyrimet që krijon ndaj ekipit me të cilin bashkëpunon apo qytetarëve që të mbështesin. Për sa kohë kjo mbështetje do të ekzistojë dhe ambicia ime do ta kërkojë, unë do të jem i pranishëm në politikë.
Ju keni qenë një nga zërat më të fortë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nëse pas vendimit të presidentit Meta, palët shkojnë drejt një marrëveshjeje dhe futen në zgjedhje pa bërë ndryshimet e kërkuara prej jush dhe aleatëve tuaj a do të bëheni pjesë e procesit zgjedhor?
Kjo është një nga betejat publike për të cilat jam më shumë krenar pasi, bashkë me kolegët e mi, kemi ndërgjegjësuar shtresa të gjera të popullsisë për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit. Sikurse mund ta shihni, nuk jemi vetëm ne si përfaqësues të partive alternative që kërkojnë shbërjen e marrëveshjes së vitit 2008, por edhe analistë, përfaqësues të shoqërisë civile, madje edhe vetë Basha, kohët e fundit është shprehur i gatshëm për ndryshimin e sistemit. Ndryshimi i tij është çështje kohe. Nëse do të ndodhë përpara apo pas zgjedhjeve, kjo nuk dihet ende, pasi varet nga koha që do të kemi në dispozicion, për këtë arsye ne nuk do t’i shmangemi garës së radhës.
M.B.





