Mblidhen për drekë deputetët e rinj të dalë nga listat e LSI-së, të cilët u futën në Kuvend pas djegies së mandateve nga Kryemadhi dhe deputetët e tjerë. Në një foto të publikuar nga deputetët Lefter Koka dhe nga Ylli Shehu, shfaqën 12 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
I vetmi mes tyre që ka qenë që në fillim të mandatit është deputeti Koka, i cili nuk iu bashkua vendimit të ish-grupit të tij parlamentar kur dorëzuan mandatet. Ndërkohë gjithë të tjerët janë deputetë të hyrë në Kuvend nga listat e LSI-së në qarqe të ndryshme.
Në postimin e tij në Facebook, Koka shkruan krahas fotos: Shqipëria do të ecë vetëm përpara! I detyrohemi shqiptarëve, rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik të atdheut!
Ndërsa deputeti Ylli Shehu ka vënë këtë diçiturë në foton e postuar në Facebook-un e tij: Mes miqsh e diela kalon më bukur! #SunnySunday
Takimi i 12 deputetëve vjen vetëm një ditë, pasi ish-kryetari i partisë së tyre, tashmë president i vendit, Ilir Meta, vendosi anulimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve. Nuk dihet nëse takimi i sotëm është bërë në kuadër të diskutimeve rreth këtij vendimi të presidentit dhe hapave të mëtejshme që do të ndiqen.
Një nga opsionet që qarkullon në media është se maxhoranca mund të sigurojë votat e nevojshme për shkarkimin e presidentit Meta. Gjithsesi PS dhe Rama nuk i kanë 94 votat e duhura për shkarkimin e kreut të shtetit. Në takimin e sotëm elektoral në Burrel, kryeministri Rama deklaroi se "Presidenti Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë".
Nëse votave të PS-së do t’u shtohen edhe votat e deputetëve të grupit parlamentar “Të pavarur”, siç ia kanë vënë emrin grupit të tyre deputetët e hyrë në Kuvend nga listat e LSI-së, kjo mbetet për t’u parë. Gjithsesi, secili prej tyre, praninë e tij në Kuvend ia ka borxh Ilir Metës, pasi ai, në cilësinë e kreut të LSI-së, i futi emrin në listat e vitit 2017.
A do ta tradhëtojnë ata ish-kryetarin e dikurshëm?!





