Opozita e bashkuar ka nisur protestën e 8-të kombëtare duke kërkuar largimin nga detyra të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të organizuar zgjedhje të lira.

Me dhjetëra qytetarët janë mbledhur përpara Kryeministrisë me flamuj në duar duke thirrur “Rama Ik”.

Partia Demokratike ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore. Më herët ka dalë në një deklaratë për mediat numri 2 i kësaj force politike, Gazment Bardhi i cili përjashtoi çdo skenar dhune. Gjithashtu kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur në rrjetet sociale se nuk do të ketë asnjë hap pas dhe e ka cilësuar si një fitore dhe ka ftuar të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestës e ditës së sotme për t’i treguar kryeministrit Edi Rama se populli ia ka hequr vizën.

Ndryshe nga të gjitha protestat e tjera kur janë mësuar detaje këtë herë nuk ka ende të përcaktuar nëse kreu u opozitës Basha do të mbajë një fjalim përpara protestuesve në tubimin e orës 19:00.

Ndërsa opozita deklaron se protesta do të jetë paqësore Policia e Shtetit në një dalje për mediat paraditen e sotme deklaroi se disponon informacione shqetësuese se protesta mund të çojë në dhunë si dhe i bëri thirrje organizatorëve që të marrin përgjegjësitë dhe të mos lejojnë devijimin e tubimit. Reagimi i bluve do të jetë në proporcion të situatës së krijuar nga protestuesit. Për mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen 1700 forca policore.