Tashmë është bërë i përvitshëm organizimi i Kupës Mbarëkombëtare në Not, e cila për tre ditë me radhë do të zhvillohet në pishinën "Taq Dafa" të Durrësit. Madje me "Teuta Kup 2019", Federata Shqiptare e Notit nis aktivitetet në pishina të hapura, quajtur ndryshe sezonit veror.
Mes entuziasmit dhe masivitetit është hapur dita e parë e këtij aktiviteti, ndërsa në të ka pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia dhe Gjermania. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, ndërsa përllogaritjet do të bëhen me pikët FINA.
Mes të tjerave, presidenti i notit shqiptar, Çiraku zbuloi se të gjithë sportistët elitarë të ekipit kombëtar do të marrin pjesë në këtë aktivitet duke qenë se noti shqiptar gjendet përpara veprimtarive ndërkombëtare.
Nga Kosova, për mikrofonin e "DurrësLajm", ka ardhur presidenti i Federatës së Notit, Imer Rama i cili pret prej sportistëve të tij një përfaqësim dinjitoz.
Seriozisht është përgatitur dhe Teuta dhe trajneri i durrsakëve, Jurgen Fici e ka vënë theksin te rivaliteti i madh në këtë aktivitet, që përfundon të dielën.





