Valbona Sakollari ka reaguar në lidhje me listën e keshilltarëve për Këshillin Bashkiak Durrës nga partia Bindja Demokratike për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Pas një shkrimi të botuar në DurrësLajm, ku dokumentohej në bazë të CV-ve të publikuara online në faqen e KQZ-së se një pjesë e mirë e emrave të vendosur në vendet e para në listë ishin me arsim të mesëm erdhi reagimi i kandidates Sakollari.

Kandidatja e BD për bashkinë Durrës thekson se lista e Bindjes është përpiluar në mënyrë që të mos ketë pjesë të saj persona me të shkuar të errët apo individë që kanë të ardhura financiare që vijnë nga burime të paligjshme apo forma korruptive.

Sipas saj, sa i përket faktit që ndonjë prej keshilltarëve në listë mund të mos ketë mbaruar studimet e larta, është e drejtë e çdo 18-vjeçari të zgjedh ose të zgjidhet dhe këtë e lejon edhe ligji.

Sakollari shprehet se Bindja është një parti që nuk ka dhe s’do ketë të bëjë me personazhe me të shkuar të dyshimtë.

"Qëllimi ynë,– thotë Sakollari,- është të distancohemi nga personat e korruptuar, kriminelë apo individë me probleme në shoqëri".

Të bën përshtypje reagimi i kandidates Sakollari për këtë çështje, sepse në një intervistë për DurrësLajm pak ditë më parë pati deklaruar se nuk kishte marrë pjesë në procesin e hartimit të listës së këshilltarëve dhe as kishte dijeni për emrat e përfshirë në të. Për më tepër si zonjës Sakollari ashtu dhe partisë së saj, DurrësLajm i ka kërkuar disa herë zyrtarisht listën e kandidatëve, por asnjëherë kjo listë nuk i është vënë në dispozicion, duke i mohuar medias të drejtën për të informuar opinionin publik për emrat e përfshirë në listë.

P.S. Kujtesë për zyrën e shtypit të kandidates Sakollari: Njoftimet për shtyp dërgohen për publikim me shkronjën ë dhe jo i gjithë teksti me shkronjën e. Nuk është detyrë e medias të rregullojë gabimet drejtshkrimore të zyrës së shtypit të kandidates për kryetare bashkie.