Ivo Doçi dhe Elton Arbana, dy nga zyrtarët e PS-së në Shijak, pjesë e përgjimeve të publikuara nga “Bild”, u shfaqën pak ditë përpara publikimit të audiove duke pozuar së bashku të qeshur nën blicin e aparatit fotografik, teksa janë anagazhuar si ekip për fushatën e zgjedhjeve vendore.
Doçi me detyrë administrator i Ujësjellës Kanalizime Shijak dhe Arbana, kandidati socialist për bashkinë e Shijakut, ishin pjesë e përgjimeve gjatë bisedave telefonike që kanë zhvilluar në kohën e zgjedhjeve parlamentare 2017, me kreun e bandës kriminale të Shijakut, Astrit Avdylaj.
Përmes bisedave në telefon, Avdylaj, që shfaq raporte miqësore dhe të njohura me të gjithë zyrtarët që kontaktonte, i kërkon Doçit që të mbledhë votuesit e opozitës së Partisë Demokratike që janë të punësuar në ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe të Kanalizimeve Shijak, në mënyrë që Astriti të vijë dhe t’i ‘shkundë mirë’ në mënyrë që të votojnë për PS-në ose të humbin punët. Doçi i thotë nga ana e tij që “ I ke të ndarë, i kam bërë gati të gjitha. Edhe kush ka hyrë në punë, edhe kush ka qenë, i kam ndarë të gjitha komplet. I kam kshu me kompjuter të punume”.
Ndërsa me Arbanën, asokohe kryetar i PS-së, Avdylaj, me një ton të irrituar i telefonon dhe i thotë se Inspektorët Kombëtar të Ndërtimit po vënë gjoba tek disa njerëz dhe nuk mund të kontaktojë dot me Vangjush Dakon për t’i kërkuar që t'i ndalojë, sepse kryetari i bashkisë ndodhet në Zvicër me Edi Ramën në një udhëtim. Kur Arbana i thotë se nuk ka autoritet sepse ai është larguar nga pozicioni i inspektorit ndërtimor, bosi i krimit Avdylaj i kërkon që t'i telefonojë dhe t'u thotë që të ndalin gjobat dhe t'i kritikojë përndryshe do e bëjë vetë ai. Në fund kryetari i PS-së, Arbana bie dakord dhe i thotë Astrit Avdylajt se do i telefonojë dhe do e zgjidhë ai problemin.





