Kandidatja e Bindjes Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari, ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për t´u prezantuar me qytetarët durrsakë teksa nisi zyrtarisht fushatën elektorale. Ajo kreu një sërë takimesh në shëtitoren “Taulantia” duke biseduar me qytetarët durrsakë të cilët ishin nëpër lokale e rrugë, një pjesë e mirë e të cilëve u shfaqën të interesuar për ta njohur Sakollarin.
"Unë jam një prej jush dhe do të mbetem një prej jush. Dua mbështetjen tuaj, nëse mendoni edhe ju si unë. Ka ardhur koha që të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe jo të përdoren qytetarët për të arritur pushtetin. Dua që ta drejtojmë bashkë këtë qytet e ta menaxhojmë mirë atë që ka ngelur nga Durrësi. Këtë nuk e bëj dot vetëm, prandaj të bashkohemi dhe ta ndryshojmë bashkë Durrësin, duke u dhënë fëmijëve tanë Durrësin që meritojmë", u shpreh Sakollari gjatë takimeve me qytetarët, të moshave të ndryshme.
Kandidatja për Durrësin do të vijojë me takime për të prezantuar projektin e saj për 30 qershorin, e cila sipas burimeve nga BD, theksohet se "Sakollari është e vendosur që t´i japë qytetit administratën që meritojnë duke u mbështetur te një model i ri dhe te njerëz që kanë treguar që dinë të menaxhojnë dhe të administrojnë mirë kudo ku ata kanë punuar".





