Kryetari i bashkisë së Shijakut Ardian Kokomani, ka reaguar pas publikimit të audiopërgjimeve nga gazeta "Bild". Një ndër audiopërgjimet është dhe biseda mes tij dhe Astrit Avdylajt.

“Këto janë përgjime të pacertifikuara nga Prokuroria, por edhe sikur të ishin të tilla, nuk mund të dal në konkluzione në bazë të disa telefonatave”, tha ai, ndërsa shtoi se marrëdhënia e tij me Partinë Socialistë është e hershme dhe kjo e shtynte të aspironte për një mandat të dytë.

“Jo vetëm marrëdhënia ime me PS, por edhe marrëdhënia me qytetarët e Shijakut, dëshira për t’i vazhduar projektet e pambaruara për shkak të kohës së pamjaftueshme, më shtynë të kërkoja një mandat të dytë, por nuk jam unë që i marr këto vendime”, tha Kokomani.

Gjithashtu Kokomani mohoi me 99.9 % të kishte qenë në ndonjë takim Astrit Avdylin.

“Unë s’kam asnjë lidhje me asgjë që përflitet. Me 99.9 % nuk kam qenë në atë takim që përflitet. Unë me personin në fjalë nuk jam marrë në fushatën lokale, unë fushatën e kam bërë vetëm me zotin Ilir Ndraxhi. Nuk kam qenë as drejtues qarku, asgjë. Unë nuk kam qenë as faktor në vendosjen dhe në heqjen e emrave. Jam habitur sot kur kam dëgjuar përgjimet. Mesa kuptoj se zoti Avdyli kërkon me ngulm që unë të jem në takim, po unë nuk kam qenë në atë takim. Nëse unë kam lidhje fushatash elektorale me këta njerëz, unë do të jepja menjëherë dorëheqjen. Ju duhet të kuptoni mjaft mirë se pse ky kryebashkiak nuk rikandidohet. Përsenë se pse nuk jam rikandiduar unë duhet ta gjeni ju”, tha kryebashkiaku Ardian Kokomani.

Audiopërgjimet e nxjerra sot nga gazeta me tirazhin më të madh në Gjermani, janë pjesë e dosjes 339/1, për të cilat Prokuroria prej dy vjetësh nuk ka bërë asnjë hetim. Këto audiopërgjime janë bërë me lejen e Gjykatës dhe si të tilla mund të përdoren si provë, në një process gjyqësor. Astrit Avdylaj kreu i bandës kriminale Avdylaj në Shijak, ka telefonuar kreun e bashkisë së Shijakut Ardian Kokomanin për të lënë një takim me të, me Vangjush Dakon dhe me një kandidat të ardhshëm për deputet, "Liri"  ( Ilir Ndraxhi)  një person që banda kriminale Avdylaj kërkon që të vihet në listë përpara si kandidat i PS-së.

Takimi është për këtë qëllim. Të finalizohet marrëveshja që Ilir Ndraxhi të bëhet kandidat i PS-së për deputet në Durrës, duke përfaqësuar interesat e klanit kriminal të Avdylajt dhe klani i Avdylajve do të japë një mbështetje të plotë fushatës së PS-së në Durrës.