Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se kjo forcë politike është e gatshme për dialog me PD-në, por kushtet e kësaj të fundit nuk mund të merren as në konsideratë.
Balla ndodhet aktualisht në Gjermani për të lobuar tek deputetët e parlamentit gjerman (Bundestag) që këta të votojnë pro çeljes së negociatave. Në intervistën për Deutsche Welle Balla u shpreh optimist në hapjen e negociatave me BE-në brenda këtij viti.
“Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për dialog. Besoj që jemi të maturuar për të patur një dialog pa qenë nevoja e miqve të huaj për të ardhur për të na ulur në tavolinë. JO pa qëllim kryeministri Rama në 7 letra publike, 6 prej tyre drejtuar z.Basha dhe e shtata drejtuar demokratëve të vendit, për të shpjeguar arsyen dhe domosdoshmërinë që ne në këtë fazë të rëndësishme të procesit të realizimit të aspiratës historike për anëtarësim në BE të jemi bashkë, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak se lidershipi i PD vijon qasjen e tyre kundër reformës në drejtësi kundër zhvillimit normal të demokracisë në Shqipëri, duke artikuluar kërkesa që në asnjë rast, nuk mund të merren në konsideratë nga ana jonë”, ushpreh Balla.





