Bandat e Durrësit duhet të largohen nga jeta e qytetarëve, nga sektorët që janë uzurpuar”,deklaron për DurrësLajm, ish-deputetja e PD, Fatbardha Kadiu. Ndërsa rendit sektorët që kanë impakt të drejtpërdrejtë në shërbimet që u ofrohen të gjitha kategorive shoqërore, Kadiu deklaron se durrsakët duhet t’i bashkohen opozitës për t’i dhënë fund përfshirjes së klaneve në shërbimet publike të qytetit.

Duke u ndalur tek koncesionet dhe ofertat e pakërkuara, Kadiu deklaron se 67% e taksave të qytetarëve shqiptarë, shkojnë çdo vit për të mbushur xhepat e oligarkëve të Ramës.

“Nuk duhet të harrojmë këtu 2500 euro një palmë e mbjellë në Durrës”,- thotë Kadiu duke ngritur një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj administratës së bashkisë për blerjen e palmave që janë mbjellë në shumë zona të qytetit bregdetar.

Ndërsa shpjegon disa nga pikat më të rëndësishme të planit emergjent të PD-së për nxjerrjen e ekonomisë shqptare nga kriza, ish-deputetja shprehet e vendosur për të mos lejuar vendosjen e një takse në autostradën Tiranë-Durrës, që do të kishte efekt negativ për ekonominë e mijëra familjeve dhe biznesve.

1 – Zonja Kadiu, a ia arriti protesta e mbrëmshme qëllimet që opozita i kishte vënë vetes dhe çfarë pritet nga protesta e datës 8 qershor? Kam parasysh këtu që Lulzim Basha deklaroi se në protestën e rradhës fjalën e ka sovrani… Çfarë nënkupton kjo?

Asnjë forcë politike më parë nuk ka mundur që në një periudhë 4-mujore, me këtë shpeshtësi protestash, të ketë mbështetje kaq të madhe qytetare, pjesëmarrje e cila vjen gjithmonë në rritje. Ky nivel pjesëmarrje tregon asgjë më shumë e asgjë më pak: Maxhoranca i përket këtyre qytetarëve.

2 – Gjatë javës që u mbyll, media denoncoi 3 afera korruptive; koncesionin 260 milion euro për Milot-Balldren, 216 kontata sekrete të lidhura nga institucionet e shtetit shqiptar dhe 5500 euro për një pishë të mbjellë në autostradën Durrës-Tiranë. Ndërkohë që flitet edhe për 140 milionë euro të tjera që shteti shqiptar mund t’i detyrohet Becchetti-t, megjithëse nuk është bërë ende publik vendimi i gjyqit… Sa rrezikohet ekonomia shqiptare nga PPP-të dhe a ka PD një shifër konkrete se sa përqind e taksave të shqiptarëve shkojnë për pagesat vjetore që shteti i detyrohet privatëve?

Në listën e këtyre abuzimeve nuk duhet të harrojmë palmat 2500 euro të Durrësit.

Kontratat PPP të këtyre versioneve që ka dhënë qeveria Rama nuk janë aplikuar më parë në asnjë vend tjetër perëndimor. I gjithë risku i shërbimit apo output-it është i qytetarit, operatori privat nuk mbart asnjë risk. Këto janë parajsat e oligarkëve Ramianë dhe ferri i qytetarëve.

178 mln euro inceneratorë

390 mln rruga Durrës-Kukës

259 mln euro Kashar-Thumanë

260 mln Milot-Balldren

216 kontrata sekrete

140 mln për mediat

Akoma nuk jemi njohur me shifrën e rrugës Durrës-Tiranë. Vetëm këto 6 zëra arrijnë në 1.5 miliardë euro. Pa llogaritur qindra tendera pa konkurencë. Afërsisht, 67% e taksave të qytetarëve shqiptarë shkojnë për të paguar këto koncesione.

3 – Në kontaktet që ju keni me biznesin, çfarë perceptoni prej tyre? A po ndikon kriza politike në kontraktimin e ekonomisë dhe uljen e konsumit nga ana e qytetarëve?

Në këtë periudhë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me biznesin dhe e vetmja gjë që shoh dhe dëgjoj nga ata është: “Kur do ta hiqni këtë kryeministër!"

4 – Shumë po flitet për sezonin turistik të rrezikuar nga kriza politike dhe përshkallëzimi i saj. A rrezikojnë bizneset turistike në Durrës të penalizohen nga anulimi i prenotimeve?

Kurrsesi nuk rrezikojnë, por a ndikohen? Sigurisht që ndikohen. Të gjitha bizneset dhe operatorët turistik ndikohen nga taksat e larta, nga infrastruktura dytësore rrugore në gjendje të mjerueshme, shërbimet e pastrimit, hapësirat e gjelbërta, pastëria e ujit të pijshëm dhe të detit, nga keq administrimi i hapësirave publike etj. Ndaj duhet të ngrihen dhe në fakt pjesa më e madhe e tyre janë përkrah Partisë Demokratike në protesta.

5 –  Në një kohë që opozita është derdhur në rrugë, kryeministri Rama shprehet i vendosur për të mbajtur mbajtur zgjedhjet në 30 qershor. Në Durrës kemi dy kandidate femra që garojnë për bashkinë. Cili është mendimi juaj për to, pasi njëra prej tyre pritet të jetë kryebashkiakja e ardhshme e Durrësit…

Shumë shkurt do t’u them, që t’i kursejnë qytetarëve durrsakë këtë teatër, t’i kursejnë paratë taksapaguesve për këtë proces që nuk është zgjedhor. por është proces emërimi.

6 – Krahas protestave, PD ka hartuar edhe programin e saj emergjent për daljen nga kriza, nëse kryeministri Rama do të dorëhiqet dhe do të krijohet qeveria tranzitore. Mund të na i shpjegoni shkurtimisht pikat më të forta të këtij programi?

E para dhe më e rëndësishmja është ndalimi i këtyre kontratave korruptive, që shkatërrojnë ekonominë e vendit dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare.

E dyta është dyfishimi i buxhetit të arsimit. Pa një arsim cilësor, shoqëria bie në formë ciklike në të njëjtën grackë që kemi rënë në vitet 40', ne vitet 90' dhe po ashtu edhe sot në shekullin XXI.

Rritja e pensioneve është thelbësore për Partinë Demokratike, mirëqenia e biznesit, por dhe e moshës së tretë sigurisht. Ulja e çmimit të karburanteve. Paguajmë sot taksë qarkullimi të vendosur nga qeveria Rama, paguajmë dhe mirëmbajtjen e rrugëve nga koncesionarët. Çmimi i karburantit është kosto për individin dhe për çdo biznes tjetër fizik apo juridik.

7– Dhe në fund, pse duhet t’i bashkohen durrsakët protestës së opozitës së bashkuar?

Durrsakët duhet t’i bashkohen për 3 elementë kryesorë protestës së opozitës:

1. E para, bandat e Durrësit duhet të largohen nga jeta e qytetarëve, nga sektorët që janë uzurpuar, si pistat në det, universiteti, parkingjet publike, lejet e ndertimit, transporti publik etj. Të gjithë qytetarët dinë tashmë sesi këto sektorë janë të ndarë ndërmjet klaneve të bandave.

2. E dyta, durrsakët duhet t’i bashkohen protestave tona sepse ne nuk mund të vazhdojmë akoma të jetojmë në një qytet ku qyteti duket si varreza dhe varrezat mbeten hapësira më e gjelbëruar e qytetit.

3. Dhe e treta, të gjithë durrsakët dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të lejojnë pagesën e një privati për të kaluar në rrugën Durrës-Tiranë. Janë me mijëra njerëz dhe biznese që e frekuentojnë çdo ditë këte rrugë dhe është një kosto që nuk mund ta mbajnë dot.

M.B.