Partia Socialiste ka nisur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Para qindra simpatizantëve, kryeministri Edi Rama tha se do të nisin bashkë me qytetarët shqiptarë një martonë 30 ditore e cila do i sigurojë PS-së drejtimin në të gjitha bashkitë e vendit.

“Sot nis maratona jonë 30 ditore për zgjedhjet e 30 Qershorit dhe konfirmimin e PS dhe kandidatëve tanë, si forca e padiskutueshme e ndryshimit dhe zhvillimit në çdo bashki të Shqipërisë. Sot nis një maratonë 30 ditore, për një betejë politike më të qartë se asnjëherë më parë, mes të shkuarës dhe të ardhmes. Mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë përpara dhe atyre që duan ta kthejnë mbrapa këtë vend. Mes nesh që duam një vend normal dhe atyre që duan vetëm pushtet.

Sot është 1 Qershori, dita e fëmijëve dhe ardhmërisë që duam të ndërtojmë me ta. Kjo ditë është një arsye më shumë që rruga e vështirë që kemi zgjedhur, është detyrimi ynë ndaj fëmijëve të këtij vendi. Kundërshtarët tanë kanë frikë nga zgjedhjet, ndaj bërtasin rrugëve kundër tyre. Kanë frikë nga gjykimi i popullit, nga ballafaqimi politik, prandaj imponohen rrugëve.

Sot nga kjo vendnisje e maratonës sonë, unë u them të gjithë shqiptarëve se zgjedhjet janë të çdokujt prej jush që dëshiron të votojë. Ata që vendosën të dalin këtë herë nga binarët e këtij sistemi nuk mund të vendosin asgjë më shumë përveç vetes së  tyre dhe për askënd tjetër përveç njëri-tjetrit mes tyre.

Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë demokratike vetëm nëse opozita pengohet të hyjë, por jo kur opozita vendos vetë të mos hyjë. Imagjinoni çfarë rrumpalle bëhet nëse zgjedhjet shtyhen se do një parti, nesër një parti tjetër. Imagjinojeni se çfarë kuptimi do të kishte nesër vota e popullit për mandatet e ardhshme nëse sot do të fitonte politika e pengmarrjes.

S’ka asnjë shans, kur janë boll 30 vjet për t’i dhënë fund lojërave politike. Ata kanë të gjithë drejtën e tyre të luftojnë qeverinë, kanë të drejtën e tyre të ulërasin kundër çdo gjëje që bën qeveria. Është e drejta e tyre edhe që të mos lenë dy gurë bashkë për të sabotuar çeljen e negociatave, por ata ta harrojnë nëse kanë në dorë gjë tjetër përveçse të vetvriten politikisht, duke i rënë murit me kokë. Ata kanë një problem, janë pak. Ne kemi një avantazh, jemi shumë. Ata janë dembelë, të paaftë për të drejtuar. Ne jemi punëtore dhe jemi përkushtuar në drejtim.

Ata janë frikacakë dhe janë të alarmuar nga reforma në drejtësi, ne jemi guximtar dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë vend , ku drejtësia është një për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë përpara drejtësisë. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne ky vend nuk ka parë. Kthehuni pak në histori dhe kujtohuni pak se si janë të ndara 30 vjet rrugë dhe përpjekje të këtij vendi për Shqipërinë Europiane. Ata prish ne rregullo, ata bëjnë prapa dhe ne çajmë përpara. Ata fut njerëzit në piramida, zhyt vendin në borxhe, ne laj borxhet e tyre…

Kujtoni Tiranën e tyre, shikoni Tiranën tonë, kujtoni Korçën, Dibrën e tyre, shikoni Korçën e Dibrën tonë, me radhë të tëra bashkitë vetëm 4 vjet në dorën tonë. Asnjëra bashki nuk është siç ne e duam nesër për fëmijët, por kujtojini dhe shikojni pak se ku janë sot, krahasuar me ku ishin dje, vetëm 4 vite më parë. Shikoni se çfarë bënë ata me Shkodrën për 30 vjet me radhë dhe shikoni çfarë bëmë ne me Vlorën për vetëm 4 vjet. Duhet të jetë komplet qorr për të mos bërë dallimin si nata me ditën.

Ka shumë mundësi se për ta të punosh domethënë të vjedhësh dhe mesa duket nuk kanë nisur kurrë një punë pa menduar se çfarë ka për të vjedhur dhe kanë vjedhur në çdo punë që kanë bërë. S’kemi ça u bëjnë ata janë të mbrapshtë “ Kjo që nisim sot është një betejë e madhe historike me kundërshtarët e zgjedhjeve. Kjo është një betejë për t’i dhënë fund përgjithmonë një mënyre të ulët, të poshtër, të pabesë të të bërit politikë duke u tallur me popullin.

Në fund kam një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët. Unë nuk jam më i mirë, nuk jam as i pagabueshmi, kam të metat dhe kusuret e mia si njeri dhe si kryeministër, bëj sa mundem dhe jo sa dua dhe jo gjithmonë arrij të bëj aq mirë sa dua atë që mundem. Por dua t’ju them, duke ju parë juve dhe të gjithë në sy, po të ishte kjo e imja një çështje e thjeshtë personale unë ju siguroj se do ta kisha lënë prej kohësh atë punë dhe nuk do të mbaja kurrë përditë në kurriz rrebeshin e përditshëm mbi vete. 

Unë mund të jem pasionant, edhe arrogant po të doni, por kurrë nuk kam qenë materialist dhe kurrë s’kam për të qenë as kriminel e as hajdut. Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendime të gabuara, po kurrë as kam bërë, as kam marrë e as kam për të bërë e marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara, që i di përpara si të gabuara. Kurrë s’e kam dhe s’kam për ta hedhur firmën timë për të fituar në mënyrë të paligjshme.

Unë nuk kam sesi t’i provoj fjalët e mia për veten time, por gjithmonë, edhe tani, i kam sfiduar dhe i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën ta provojnë të kundërtën me fakte jo me baltë e jo me sajesa me prova. Për mua kjo detyrë është mision, është pasion jo kalkulim, është bindje atdhetare dhe një sfidë me historinë që unë besoj se mund ta fitoj sepse kam fuqinë e të gjithëve ju, fuqinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo le të thonë çfarë të duan, të lehin sa të duan, kjo është e vetmja parti politike e shqiptarëve që kurrë nuk e ka tradhtuar interesin kombëtar. Me të gjitha të metat, mbetet sot e gjtihë ditën mbetet forca politke më e madhe, më e aftë e pa distkutim më atdhetarja dhe më e besueshmja nga shqiptarët".