Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth operacionit policor ndërkombëtar të koduar "SABBIA", ku u arrestuan 4 shtetas shqiptarë dhe një italian si dhe u sekuestrua gjysmë ton hashash.

Mësohet se në operacion u përfshinë Departamenti i Policisë Kriminale, "Interpol" Tirana, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe "Interforca" italiane në Shqipëri.

"Mëngjesin e sotëm, në Itali dhe Shqipëri është finalizuar operacioni i koduar "Sabbia", ku nga autoritetet kompetente Italiane, Karabinierët e Komandës së Provincës së Firences me mbështetjen e strukturave përkatëse atje, dhe në Shqipëri me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë ekzekutuar urdhër – arrestet, lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Firence, në ngarkim të 5 personave të hetuar, të gjetur përgjegjës për bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.", njofton policia.

Arrestimet janë ekzekutuar në provincat e Firences, Sienës, Brindisit dhe në Vlorë, aktivizuar nëpërmjet Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor "Interpol" dhe "Interforca" italiane në Shqipëri.

Në Vlorë është kapur dhe arrestuar shtetasi F. S., si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, të dy me masë sigurie "Arrest në burg". Në Itali është arrestuar 1 shtetas, ndërsa për 2 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë "Arrest në shtëpi".

Masat janë lëshuar në përfundim të hetimeve të nisura në janar të vitit 2018, nga Skuadra Hetimore e Repartit "Operation", që kanë mundur të identifikojnë një grup të organizuar kriminal në fushën e narkotikëve.