Eno Mata, 32-vjeçari që mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur në fshatin Poro në fillim të kësaj jave, nuk do të ekstradohet për në Greqi.

Shteti fqinj e ka shpallur të riun në kërkim ndërkombëtar, duke e akuzuar për vrasjen e një avokati. Ndaj Matës u qëllua me breshëri automatiku, ndërsa ishte duke u kthyer për në banesë me një motor që drejtohej nga Sotiraq Mëhilli. Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme 22-vjeçarit Mëhilli, ndërsa 32-vjeçari mori tre plumba, por pa rrezik për jetën.

Mata deklaroi në Polici se atentati ishte porositur nga Greqia për shkak se e akuzojnë për vrasjen e avokatit Mihalis Zafiropulos, gjatë një tentative për grabitjen e një argjendarie në Athinë në vitin 2017. Por sipas 32-vjeçarit, nuk është ai autori i vrasjes. “Nuk e kam vrarë unë avokatin. Shkuam për të grabitur, jo për të vrarë. Më kanë ngatërruar me ekzekutorin”, tha Mata.

Ndërkohë që autoritetet greke lajmëruan ditën që ndodhi atentati se 32-vjeçari është arrestuar për llogari të drejtësisë së saj, tashmë mësohet se nuk do të ketë ekstradim të Matës. Kjo, jo vetëm për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes dy vendeve, por edhe për faktin se Shqipëria ka nisur të ndjekë praktikën e dënimit të shtetasve të saj për krime që kanë kryer jashtë vendit.

Në këtë mënyrë, për dënimin e tij autoritetet greke do të duhet të sjellin dosjen në Shqipëri për gjykim. Lajmi për mosekstradimin e tij bëhet i ditur nga Ministria e Drejtësisë në Greqi, ku thuhet se Mata nuk do të ekstradohet në Greqi me akuzën e vrasjes se avokatit Zafiropulos.

Sipas zyrtarëve të lartë të Greqisë, Mata s’do të ekstradohet për t’u gjykuar, pasi “është një praktikë e rregullt e autoriteteve shqiptare që të mos i lëshojnë bashkatdhetarët e tyre jashtë vendit”. Ndërkohë, sa i takon atentatit në fshatin Por, ende nuk ka asnjë autor të dyshuar apo të arrestuar. Dyshohet se i riu është mbajtur në vëzhgim dhe autorët kanë ndërhyrë në momentin që ai po kthehej për në banesë.

Makina e përdorur nga autorët, një “Mercedez Benz”, u gjet e djegur, ndërkohë që brenda saj ndodheshin dhe dy armë kallashnikovë. Nga hetimet paraprake rezulton se automjeti ishte vjedhur pak kohë më parë në qytetin e Gjirokastrës.

PANORAMA