Kapitaneria e Vlorës ka ndihmuar mëngjesin e sotëm një kroçerë në Karaburun. Kroçera me emrin "Costa Victoria" po lundronte në Karaburun kur dha alarmin për një asistencë mjekësore për një të sëmurë.
Menjëherë u njoftua ambulanca e qytetit dhe policia kufitare për këtë situatë. Kroçera mori udhëzim të afrohej në radën e portit të Vlorës dhe të merrte asistencën e kërkuar, pasi personi duhej të zbarkohej në tokë dhe të shkonte drejt Spitalit Rajonal Vlorë.
Pas njoftimit, mbërriti në portin e Vlorës edhe ambulanca e urgjencës. Mbas 30′-35′ krocera "Costa Victoria" mbërriti në radën e Vlorës sipas udhëzimeve të Kapitanerisë së Portit Vlorë në një distancë rreth 1 milje nga porti.
Kapiteni i Portit së bashku me personelin e ndihmës së shpejtë me anë të një rimorkiatori shkuan në bord të kroçerës për të marrë të sëmurin me barrelë për ta transportuar më tej në drejtim të spitalit.





