Policia e Shkodrës ka arrestuar ditën e sotme një person të shumëkërkuar, mbi të cilin rendon akuza për vrasje si dhe rezulton me një dënim, prej 23 vitesh heqje lirie.
Operacioni policor i koduar "Dukagjini" ka vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit.
Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, pasi me datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T. 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.





