Ndërsa fushata zgjedhore është në prag, programet elektorale me të cilat do të prezantohen kandidatët para elektoratit janë në fazën e përmbylljes.
Kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari, deklaron për "DurrësLajm" se është një grup specialistësh të fushave të ndryshme që po merren me hartimin e programit të BD-së për Durrësin. Fushatë atipike e cilëson Sakollari fushatën zgjedhore të Bindjes Demokratike në Durrës, pra një prezantim ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar deri më tani nga partitë e mëdha.
Sipas Sakollarit, pikat e forta ku do të përqendrohet programi i saj elektoral për zhvillimin e Durrësit në 4 vitet e ardhshme janë turizmi, investimet dhe përmirësimi i shërbimeve në zonat rurale, agroturizmi për vetë rëndësinë që përfaqëson ky sektor si dhe përmirësimi i transportit urban dhe interurban, si dhe një përkujdesje e shtuar për shtresat në nevojë. Sakollari shprehet se programi elektoral do të jetë i bazuar në zgjidhje konkrete për të garantuar shërbime më cilësore për qytetarët durrsakë.
Ndërkohë, përsa i përket problematikave aktuale me të cilat përballen qytetarët, Sakollari rendit rrjetin e kanalizimeve, që janë bërë shkak përherë për përmbytjen e qytetit, stresin që shkakton trafiku i rënduar dhe mungesa e parkimeve, investimet e munguara në zonat rurale apo menaxhimi i mbetjeve urbane, një problem i trashëguar ndër vite.
Si një parti e re, e krijuar vetëm një muaj më parë, Sakollari shprehet se fokusi i Bindjes Demokratike do të jetë kryesisht elektorati i djathtë, që është dhe baza e BD-së, si dhe personat e dyzuar, ata që nuk ndihen të përfaqësuar dhe qëndrojnë në pritje të një alternative të re që do të fokusohet në ofrimin e zgjidhjeve konkrete.
M.B.





