Në daljen nga selia e Partisë Demokratike, para se t’i bashkohej protestuesve që kishin mbushur plot sheshin para Kryeministrisë, lideri Lulzim Basha shoqërohej nga të reja të FRPD-së.

Mes tyre, në të majtë dhe të djathtë të Bashës, ishin dy studente nga Durrësi, që vetëm pak ditë më parë morën teserën e anëtarësisë në PD, gjatë takimit që lideri demokrat zhvilloi me banorët e qytetit bregdetar.

Edona Berisha dhe Mirela Hoti ishin dy nga rreth 200 anëtarë të Forumit Rinor të PD-së së Durrësit që morën pjesë mbrëmë në protestën e opozitës. Ato marshuan së bashku me liderin Basha drejt sheshit dhe qëndruan deri në fund si mijëra demokratë të tjerë për të treguar besimin e madh që kanë në kauzën e tyre.

Për DurrësLajm, Edona Berisha, studente e vitit të tretë, dega “Navigacion”, në UAMD, rrëfen se ka marrë pjesë në të 6-ta protestat kombëtare që PD ka zhvilluar përgjatë këtyre muajve. Njëkohësisht ajo ka marrë pjesë edhe në protestat e zhvilluara në Durrës, ku opozita bllokoi kalimin e automjeteve në mbikalimin e Plepave, si dhe në protestën e organizuar nga FRPD Durrës, një javë më parë, para drejtorisë rajonale të AKU-së, në Shkozet.

Në të njëjtën kohë, Edona ka marrë pjesë në protestat e studentëve në muajin dhjetor, kur kërkuan nga qeveria dhe Ministria e Arsimit plotësimin e 8 kërkesave të parashtruara nga mijëra studentë në mbarë vendin.

E pyetur nga DurrësLajm se pse u është bashkuar protestave të studentëve dhe tashmë atyre të opozitës, studentja e UAMD-së shprehet se “ajo dhe shumë studentë të tjerë si ajo kanë konstatuar se shumë gjëra shkojnë mbrapsht në këtë vend dhe protesta është një nga format më demokratike për të ngritur zërin dhe kërkuar nga qeverisja plotësimin e kërkesave bazike të kategorive të ndryshme shoqërore.”

“Një nga arsyet se pse ju bashkova Partisë Demokratike është sepse mendoj që me djegien e mandateve të deputetëve i dha shpresë këtij vendi. I tregoi shqiptarëve se qëndron në krah të tyre dhe po bën përpjekje maksimale që në të ardhmen Shqipëria të jetë si gjithë Evropa. Ne të rinjtë duhet të shpresojmë për një Shqipëri më të mirë. Nuk dua më të shoh shokët e shoqet e mia që largohen drejt vendeve evropiane në mungesë të shpresës, sepse nuk kanë ku të punojnë apo nuk gjejnë një vend pune të përshtatshëm sipas formimit të tyre profesional”,- vijon më tej Edona.

Së bashku me Mirelën, studente në vit të tretë në Psikologji, në UAMD, Edona, ashtu si shumë të rinj të tjerë demokratë, janë të bindur se lideri i partisë së tyre Lulzim Basha gëzon një mbështetje të madhe popullore dhe këtë e ka ndjerë çdo herë që ka protestuar në shesh.

“Janë me mijëra njerëz që po na bashkohen dhe shumë të tjerë që na mbështesim, pavarësisht se për arsye nga më të ndryshmet nuk mund të jenë në shesh së bashku me ne. Protesta e mbrëmshme më entuziazmoi dhe besoj se kauza jonë do të përqafohet edhe nga më shumë njerëz, jo vetëm të djathtë, por edhe të majtë dhe njerëz të pavendosur”,– shprehet e sigurt Edona.

Studentja Edona Berisha premton se do të jetë sërish në shesh më datë 31 maj dhe në çdo protestë të ardhshme të opozitës, së bashku me shumë të rinj të tjerë nga Durrësi dhe gjithë Shqipëria për të treguar se të rinjtë janë forcë vitale e këtij vendi dhe me zërin e tyre kërkojnë të japin kontribut për zhvillimin e Shqipërisë dhe largimin e një sistemi të korruptuar siç ka dëshmuar në gjithë këto vite qeveria Rama.

M.B.