Tashmë kur ka kaluar më shumë se një javë që janë shpallur zyrtarisht si kandidatura në garë për bashkinë e Durrësit Valbona Sako dhe Valbona Sakollari kanë shfaqur një tjetër të përbashkët, përjashtuar këtu ngjashmërinë e madhe të emrave dhe mbiemrave.
Nga një vëzhgim i thjeshtë i profileve të tyre në rrjetet sociale, e vetmja gjë që të bie në sy është shpërndarja që i bëjnë postimeve të kryetarëve respektivë, Edi Rama dhe Astrit Patozi.
Profili i Sakos është i mbushur me shpërndarjet e postimeve të kryeministrit, ndërsa ai i Sakollarit me të gjitha deklaratat e Patozit, daljet e të cilit kanë qenë të shpeshta ditët e fundit pas akuzave të ngritura nga PD për regjistrimin e partisë Bindja Demokratike dhe tërheqjes nga gara të 3 kandidatëve për kryetar bashkie dhe 21 kandidatëve për këshillat bashkiakë.
Në një shkrim të mëparshëm, vura në dukje faktin se të dyja kandidatet në garë janë figura shumë pak të njohura në publik dhe nuk vijnë nga politika. Dhe pikërisht se janë pak të njohura, qytetarët kërkojnë të njihen sa më parë me atë se çfarë do të ofrojnë dy kandidatet që aspirojnë të bëhen kryebashkiakja e parë e Durrësit. Ndërsa kanë pranuar të kandidojnë për një bashki shumë të rëndësishme siç është ajo e Durrësit, porti më i madh në vend dhe një nga qytetet me resurset më të mëdha turistike dhe arkeologjike, dy zonjat duhet të nisin të shpalosin vizionin e tyre për qytetin.
Ndjekësit e tyre në rrjetet sociale, por edhe qytetarët durrsakë kanë nevojë të njihen me programin 4-vjeçar që secila prej 2 kandidateve në garë do të prezantojë para elektoratit dhe jo t'i shohin teksa kthehen në shpërndarëse në kohë reale të mesazheve të lidërve të tyre.
Nëse zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe dy kandidatet do t’i shkojnë deri në fund garës së tyre duhet të kuptojnë se nuk do të votohen nga durrsakët prej share-ve të Ramës apo Patozit, por sepse do të ofrojnë një alternativë dhe plan zhvillimi për qytetin, shërbime publike për qytetarët në qendër të Durrësit apo në zonat periferike.
Kanë ngelur vetëm 40 ditë deri në zgjedhje dhe durrsakët po presin të dinë se çfarë programi do t’u paraqitet për 4 vitet e ardhshme të qeverisjes së qytetit. Share-t e postimeve të Ramës apo Patozit nuk e përmirësojnë jetesën e qytetarëve të Durrësit as i mbushin ata me shpresë për të ardhmen.
Një program konkret dhe një alternativë e mirëfilltë dhe e studiuar për zhvillimin e qytetit mund të bëjë ndryshimin. Qytetarët po presin…
M.B.