Maqedonia e Veriut duket se po shkon drejt vettingut të politikanëve, duke përfshirë dhe testin e drogës. Rasti me deputetin Pavle Bogoevski e hapi debatin për përdorimin e lëndëve narkotike nga funksionarët shtetëror.
BDI dhe VMRO DPMNE dolën me idenë për vetting të përgjithshëm, ndërsa grupi i pavarur i deputeteve të VMRO DPMNE-së kërkoi që të hënën të gjithë deputetet që duan, vullnetarisht t’i nënshtrohen testit të drogës. Ata kërkuan nga kryetari i Kuvendit që t'u mundësojë kushte dhe ekipe mjekësore që këto teste të bëhen.
"Deputetët e pavarur nga VMRO DPMNE sot do të nisin iniciativë deri tek Kuvendi që të gjithë deputetet vullnetarisht të bëjnë testin për përdorimin e lëndëve narkotike. Kërkojmë që Kuvendi të hënën, të mundësojë kushte dhe ekipe mjekësore që kjo iniciative të zbatohet.", thanë deputetët e pavarur të VMRO DPMNE-së.
"Ju informojmë se, në Ligjin për deputetët, në Rregulloren për punën e Kuvendit dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka bazë juridike sipas së cilës Kryetari dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut kishin mundur të realizojnë Nismën e Grupit parlamentar të pavarur. Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, neni 22, paragrafi 1, punëdhënësi doemos duhet të sigurojë kontrollime shëndetësore për të punësuarit më së paku çdo 24 muaj. Deputetët dhe të punësuarit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe të gjithë personat e punësuar në shtet, shkojnë në kontrollime të rregullta sistematike, që janë vërtetim për gjendjen e tyre shëndetësore. Kontrolli i fundit sistematik është realizuar në vitin 2017, ndërsa kontrolli i ardhshëm i rregullt sistematik do të realizohet gjatë këtij viti.", tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Edhe pse Kryetari i Kuvendit nuk mundet të gjejë hapësirë ligjore për të përmbushur kërkesën e deputeteve të pavarur, ajo ka hasur në përkrahje tek të gjitha partitë. Vet Bogoevski shkoi në polici, ndërsa pranoi publikisht se ka porositur lëndë narkotike, por mohoi se është kokainë.