Tirana International Airport ka hapur garën për kompanitë që do të garantojnë sigurinë fizike të aeroportit.
Vendimi vjen pak më shumë se një muaj nga supergrabitja në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit.
Në tetor përfundon kontrata me ICTS Albania dhe muajt që kanë mbetur shërbejnë për plotësimin e anës proceduriale.
Në faqen zyrtare të kompanisë i bëhet thirrje kompanive ndërkombëtare të specializuara në këtë drejtim që të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e garës.
Aeroporti ‘Nënë Tereza’ synon që të lidhë kontratën për shërbimet e sigurisë për një periudhë 5-vjeçare.
Nga të dhënat mësohet se ICTS merr nga koncesionari i aeroportit rreth 1.5 milion euro në vit me qëllim garantimin e sigurisë dhe ka të punësuar 152 persona.





