Me lot në sy e me zërin që i dridhej, gjeneral Brigade Bardhyl Kollaçaku në fjalën e mbajtur në lamtumirën e major Klodian Tanushit tha se punën dhe profesionalizmin e tij, do ta kujtojë çdo ushtar dhe koleg i tij.

Gjeneral Kollçaku tha se FA-ja ka humbur një komandant të palodhur, që i shtoi nderin Shqipërisë nga puna e tij, e cila tashmë do të nderohet nga çdo qytetar i këtij vendi.

"Për ditë të tëra ju dhe ne u lutëm dhe me dridhje në zemër, shpresuam për Klodjanin, shpresuam për mrekullinë, kurrë nuk donim ta pranonim. Tani duhet të përcjellim majorin. Komandant, çdo ushtar do të përulet, do të qajë dhe do të mbajë zi. Ne kemi humbur një vëlla nën armë. Kudo që e thirri, kudo që e kërkonte nevoja dhe kanë aq shumë për të thënë kolegët, për Klodin njeri, për Klodi komandat dhe ushtarak. I heshtur, i bindur i kreu me devotshmëri detyrat për ti dhënë nder Shqipërisë. Vepra e dëshmorëve është amaneti jonë.  Të gjithë kemi nevojë ta shprehim dhe ta nxjerrim dhimbjen. Gjithçka e bëjmë për fëmijët dhe Klodiani sakrifikoi për ta dhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm. I dimë rreziqet dhe vështirësitë dhe ne do të vijojmë të jemi në frontin e përbashkët. Ne do të jemi gjithmonë gati. Komandant Klodi do na marrë malli për zërin tënd, për urdhrin tënd, për fjalën tënde. T’u prehtë shpirti në paqe, lamtumirë i shtrenjti Klodian"-tha ai.