Dy kandidate në garë për t’u zgjedhur kryebashkiakja e parë në historinë e Durrësit. Dy Valbona që përveçse ndajnë të njëjtin emër, edhe mbiemrin e kanë shumë të ngjashëm (Valbona Sako dhe Valbona Sakollari)!
Dy kandidate me formim të njëjtë, secila prej tyre është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, me vetëm 3 vite diferencë me njëra-tjetrën.
Njëra kandidon për Partinë Socialiste, formacionin politik më të madh në vend, tjetra për një parti të sapolindur, Bindja Demokratike, që nuk e ka mbushur ende një muaj jetë.
Si asnjëherë më parë në Durrës, dy kandidate femra pritet të masin forcat në 30 qershor, në garë për të mbledhur secila sa më shumë vota nga elektorati durrsak.
Ndërsa Valbona Sako vjen nga një karrierë e suksesshme rreth 20-vjeçare në administratën fiskale (6 vitet e fundit ka drejtuar drejtorinë e Tatimeve në Durrës), Valbona Sakollari për vite të tëra i është përkushtuar profesionit të saj në sektorin privat, ndërkohë që është lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.
Dy femra që deri më tani vijnë nga një profil i ulët publik, shumë pak të njohura në rrethet politike të qytetit, por që për më shumë se një muaj emri i tyre pritet të njihet nga të gjithë banorët e Durrësit.
Kanë qenë disi larg politikës deri më tani, por me kandidimin e tyre do të drejtojnë prozhektorët e politikës mbi to. Do të vihen në qendër të akuzave të kampeve rivale, pasi për hir të së vërtetës politika në vendin tonë është mjaft e egër me meshkujt dhe nuk i kursen aspak femrat.
Dy kandidate të lindura në Durrës, që synojnë zhvillimin e qytetit të tyre.
Në mesazhin e saj të parë pas zyrtarizimit, Valbona Sako shkruante: “Përulem me mirënjohje ndaj vendimit të forcës politike më progresive në Shqipëri, PS, për të më kandiduar në procesin e zgjedhjes së shërbyesit si Kryetar Bashkie në qytetin tonë, në Durrësin tonë të mirë që kërkon të vijojë zhvillimin. Me besimin tuaj, shpresoj të ndajmë dhe tregojmë së bashku në ditët që vijnë, fuqinë e madhe të dëshirës së këtij qyteti, që inspiron punë dhe zhvillim të qëndrueshëm për ne dhe fëmijët tanë”.
Ndërkohë, në prezantimin që Bindja Demokratike bëri për Valbona Sakollari vuri në dukje se “kandidatja konsiderohet si një zbulim i kësaj partie, një ofertë fantastike për Durrësin më 30 qershor. Sakollari do të jetë dhurata e Bindjes Demokratike për Durrësin”.
Në vitin 2015, Grida Duma do të ishte e para femër që tentoi të bëhej kryebashkiake e Durrësit. 4 vite më vonë, beteja elektorale për Durrësin zhvillohet mes dy kandidateve, njëra prej të cilave mund të jetë kryebashkiakja e parë femër e qytetit të dytë për nga rëndësia dhe portit më të madh në vend.
Me 30 qershorin na ndajnë 46 ditë, ku ende shumë të panjohura nuk dihen, pasi ka nisur të artikulohet ideja për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen e tyre bashkë me ato parlamentare.
Kur kujtojmë meshkujt që e kanë drejtuar këtë qytet në këto 30 vite, duke filluar nga dy kryebashkiakët demokratë Tomor Golemi dhe Arqile Gorea e për të vijuar më pas me socialistët Miri Hoti, Lefter Koka dhe Vangjush Dako, secili prej tyre shumë i kritikuar nga kampi rival (nganjëherë edhe nga të vetët), vetëvetiu mund të ndihesh mirë që këtë herë kandidojnë dy femra, për më tepër dy femra të papërfshira deri më tani në politikë.
Nisin një garë në të cilën shpesh do të ndihen të paragjykuara pikërisht për shkak të gjinisë së tyre, por do të jetë impenjimi dhe përkushtimi i tyre arma e tyre më e mirë.
Do të jenë pikërisht dy Valbonat që do të duhet t’u mbushin mendjen durrsakëve se janë të denja për detyrën e rëndësishme që partitë respektive u kanë besuar.
M.B.





