Nga BUJAR QESJA

Duhet të jesh me zemër shumë të fortë, për të mbajtur dhimbje të tilla që të djegin dhe të përvëlojnë sa ska më. E hënë, 14 maj 2019. Ora 16.35. Nëpërmjet ziles së celularit, reagoj dhe në ekran lexoj: Igli Goga. Igli ynë!
Veçanërisht në këto ditë, kemi patur lidhje të dëndura, për vetë faktin se Goga Basket kërkon titullin kampion. Dhe kishim planifikuar, që lajmin të ja jepnim së pari Dhimitraq Gogës dhe së dyti Bashkim Tagës, për ti zgjuar për disa çaste nga varri, e të jenë pjesë i gëzimit tonë. Dhe Igli më telefonon për tjetër gjë.

– Bujar! Bujar!
Zëri u zbeh, gati nuk u ndje. Dëgjoj një si vajtim. Telefonata më drithëroi dhe i dhashë kurajo vetes, për ta vazhduar unë më pas bisedën.
-Po të dëgjoj Igli, po të dëgjoj! Po ti nuk po flet! Ti më dukesh sikur po qan! Më trego Igli, çfarë ka ndodhur? Nuk po mundem më të duroj! Diçka e kobshme ka ndodhur. Më thuaj vëlla, pra, çfarë ka ndodhur?!

-Para 5 minutash, Tush Çumashi, miku, shoku dhe vëllai ynë i shtrenjtë, u nda nga ne. Nuk jeton më! A besohet kjo që po të them Bujar?! Bujar, Bujar…!

Telefoni më ra nga dora dhe nuk i dëgjoja më të folurat tejet trishtuese të Igli Gogës.
-Po pse mor Tush na le kështu!? Pse mor vëlla, na e dhe këtë hall të madh!?

Oh zemër e coptuar, më mba! Ma përballo këtë ngacmim të madh shpirtëror! Si më kanë thënë mjekët kur më operuan: kujdes nga emocionet! 
-Kujdes ngarkesat shpirtërore, se të rrezikojnë!

Por unë po qaj Tush, për ty!

Mitrush Çumashi! Me 22 shkurt 2019, festoi 75 vjetorin e lindjes. Me 21 dhjetor 2018, ishim së bashku buzë detit, në një lokal joshës dhe po festonin vigjiljen e vitit të ri. Na kishte mbledhur Igli Goga.
-Kemi plane Bujar me Goga Basket. Ta forcojmë basketbollin në Durrës! Ta lartësojmë emrin e profesorit tonë të madh Dhimitraq Goga! Ta ndihmojmë Iglin, në këtë angazhim të jashtëzakonshëm që ka ndërmarrë! Basketbolli durrsak duhet të mbetet gjithnjë në elitë!

-O Tush! A më dëgjon!
Ma kishin dhënë një sinjal, që mbrëmë se je goditur në zemër, duke t’u çarë një pjesë e aortës. Operacioni u përballua. Por problemet në veshkë lindën papritur. Urova shpirtërisht veten, se do ta përballosh këtë sfidë. Kam qenë i brengosur tërë kohën, derisa në orën 16.30, të 14 majit 2019, ti dhe frymën e fundit, por asnjëherë e fundit për nga kujtesa.

Mitrush Çumashi! Djali i rrugës së njohur Kumini. Baba Asti dhe nëna e dhëmbshur Sofija, rritën katër fëmijë si drita e syve, Vangjelinë, Mitrushin, Dritën dhe Thanasin. Një familje e shkëlqyer, pjesë e kulturës dhe e qytetarisë durrsakë, e bujarisë dhe mikpritjes së njohur të Durrësit. Me sakrifica përfundoi studimet e larta për matematikë fizikë dhe për disa vite dha mësim në shkollën e mesme Gjergj Kastrioti. Në vitin 1976 transferohet në Tiranë, drejtor i bilancit në Ministrinë e arsimit. Aftësia profesionale, komunikimi perfekt dhe plot kulturë me kolegët dhe bashkëpunëtorët e punës, e bënë që të marrë një tjetër post drejtues. Për shumë kohë, kreu detyrën e drejtorit të kombinatit poligrafik në Tiranë. Gjithnjë i suksesshëm dhe gjithnjë brilant në komunikimin me njerëzit.

Megjithëse jetoi familjarisht në Tiranë, nuk e ndau kurrë dashurinë për vendlindjen aq të dashur dhe të shtrenjtë, Durrësin, për njerëzit e tij të mrekullueshëm. E shkëlqyer mbetet edhe karriera sportive e Çumashit, Një talent në basketboll, Tush Çumashit dhe brezit të tij, i atribuohet merita e një erë të re në basketbollin shqiptar.

Nga vitit 1959-1969 (10 vite pa ndërprerje), Lokomotiva e Durrësit e udhëhequr nga historiku Dhimitraq Goga, mbeti kampione absolute për të rinj. Kudo që shkonin dhe luanin, populli sportëdashës i thërriste me emrin “Harlemat e Durrësit”. Dhe Tush Çumashi ishte njëri prej tyre. I lindur për topin e basketbollit, një xhongler i vërtetë, ngrinte peshë zemrat e amatorëve të shumtë të sportit të koshit.

Ai mbetet një nga personazhet më të spikatur të këtij sporti popullor në Durrës. E kishte marrë me shumë dëshirë, kremtimin që pritet të bëhet, me rastin e 60 vjetorit të fitimit të titullit të parë kampion për të rinjtë.

Tushi, sa lindi e mbylli sytë, mbeti një durrsak i ëmbël, i dashur dhe shumë i shtrenjtë, për të gjithë ne që e njihnim nga afër. Dashuria për qytetin nuk i ndahej, nga dashuria për familjen e respektuar duke nisur nga e shoqja Oli, e vazhduar më tej me fëmijët Erjonin dhe Albanën. Por jeta iu gjallërua më shumë nga nipërit e tij Redi, Robi dhe Beni, që i donte me shpirt, pasi ia kishin thyer jetën në këtë moshë.

14 maj 2019! Mitrush (Tushi) Çumashi, në këtë pasdite dha shpirt në spitalin Hygeja në Tiranë. Nesër, me 15 maj 2019, do ti jepet lamtumira e fundit.

Maji i luleve, maji i aromës kundërmuese, maji i ngjyrave, këto ditë i ka me një kohë me shi. Dhe ky shi, m’u duken si lotët, që të gjithë ne po derdhim për babain e mirë, bashkëshortin ideal, për gjyshin e shkëlqyer, për shokun, mikun, vëllain tonë të shtrenjtë dhe të paharruar, për birin e denjë të Durrësit Tush Çumashi.

Na le vëlla! Por zemra e jonë, sado e plagosur ka vend për ty. Ashtu si dheu i tokës mëmë do të strehoj përjetësisht, ashtu përjetësisht do të strehohesh edhe në zemrat tona.

Dheu i lehtë vëlla!