Elena Lamnica në harqe, Ermes Balili në piano, Alen Kurici në saksofon dhe Viola Bakiasi në kanto janë triumfuesit e edicionit të parë të konkursit “Durrës Music Festival”.
Gjatë pesë netëve të zhvillimit të këtij eventi artistik performuan në skenën e improvizuar në konkatedralen “Shën Luçia” 150 artistë të rinj dhe jurisë profesioniste, të përbërë nga emra të njohur të muzikës dhe artit, iu desh një punë goxha e madhe për të përzgjedhur për natën finale vetëm 11 finalistë.
Konkursi nuk ishte thjesht një garë, por u kthye në një festë të muzikës, talentit dhe shpirtit artistik, ku secili performues dhuroi emocione të forta me interpretimet mjaft të ndjera.
Për fituesit e këtij edicioni të parë, triumfi në këtë konkurs është një mundësi më shumë për të shpalosur talentin e tyre në një nga koncertet e ardhshme të Orkestrës së Harqeve të Durrësit, në rolin e solistit.
Për organizatorët, suksesi i këtij edicioni të parë është një ogur i mirë për ta kthyer këtë event artistik në një traditë të bukur në qytetin bregdetar.
M.B.





