Në një dalje për mediat, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha se kryeministri Edi Rama është në grahmat e fundit të pushtetit.

Duke u ndalur te konferenca e kryeministrit me gazetarët, Vasili tha se Rama tashmë ka filluar të bëjë prokurorin dhe gjykatësin e të gjithë kriminelëve, duke përmendur kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

"Kryeministri shqiptar e ka zanafillën e ardhjes në pushtet nga zjarri dhe hekuri që prodhoi më 21 janar, për të cilin tha se kryeministria, të cilën e sulmoi me automjete ky tha që nuk u hodh asnjë guriçkë. Kryeministri, apo më mirë pushtuesi i kryeministrisë i ofroi shqiptarëve vetëm një alternativë: burgun. Ky kryeministër ka ofruar të bëjë prokurorin gjykatësin për të tërë të akuzuarit të tij, të gjithë kriminelëve, Dakos, Tahirit. Shqiptarët dinë të dallojë mashtrimin nga e vërteta.

Ata që i shërbyen atij në 21 janar paskan alibi sot. Malaj është i pafajshëm megjthëse ishte pjesë e grupit të zjarrit, por i ka shërbyer Edi Ramës është i qartë roli i tij, dhe Rama i jep atij alibi, titull e gjithçka. Kjo është drejtësia e tij, alibi për kriminelët, dolën të gjithë të pafajshëm. Edi Rama sot u tha shqiptarëve se mjafton që në një bashki me 800 vetë mjafton të të votojnë dhe 10 vetë. Tha që nuk ka asnjë problem kriza ekonomike, varfëria juaj, po për të ka rëndësi që vetëm qeverisja e tij të jetë atje.

Qau për kushtetutën, se nuk e shkel dot, nuk shtyhen dot zgjedhjet, po shqiptarët nuk e kanë harruar që shty 2 muaj zgjedhjet në vitin 2007 për një certifikatë. Edi Rama i krekosur me kollare, me xhepat e mbushur plot është i qetë, ndërkohë që shqiptarët përmbyten. Shqiptarët kanë një kryeministër që thotë gjithë pushteti i sovjetëve dhe që i  ofron atyre vetëm burgun. Dera e Europës është e mbyllur vetëm për një shkak, ai është Edi Rama. Qytetarët që shkojnë në protestë, që luftojnë për bukën e gojës dhunohen, si Sahit Dollapi. Ka vetëm një zgjidhje është ajo që qytetarët i treguan dje Edi Ramës që nuk bëjmë asnjë kompromis me ty dhe kriminelët e tij. Sot Edi Rama ka rënë, është në grahmat e fundit. Nuk i lan dot duart e gjak, përpiqet nëpër konferenca me gazetarët, por nuk i lan dot.", u shpreh Vasili.