Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në qytetin e Vlorës, ku një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali në zonën e shëtitores së Lungomares.

Ka pasur disa të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një person, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka mbetur i plagosur. Mësohet se ai është jashtë rrezikut pasi ka marrë vetëm një plumb në këmbë.

Sipas informacioneve paraprake, disa persona kanë qenë në një lokal, kur pranë tyre kanë mbërritur të tjerë persona dhe kanë qëlluar me armë. Autorët janë larguar me një automjet dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë.

Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë i autorëve të atentatit.

Policia po vijon hetimet.