Policia e Tiranës ka arrestuar një 42 vjeçar, i cili mashtronte qytetarët duke u prezantuar si polic.

Arrestimi i 42-vjeçarit, me iniciale A.Th., u bë pas denoncimit të një qytetari në numrin e telefonit 112.

I arrestuari është një person me precedentë penal për veprat penale “Vjedhja” e “Mashtrimi”.

"Në numrin unik 112 ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në rrugën “Imer Ndregjoni”, një shtetas lëvizte me armë zjarri me vete dhe prezantohej si agjent i Policisë kriminale. Falë reagimit në kohë nga shërbimet e policisë është bërë konstatimi i shtetasit të denoncuar nga qytetarët në bazë të karakteristikave të dhënave. 

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar këtij shtetasi, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë, një dokument policie me gjeneralitetet A.Th. dhe pranga metalike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", sqaron policia.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.