Prej disa ditësh, në godinën 11-katëshe në rrugën “Teodor Rupi”, në lagjen nr.5 të Durrësit është ndërprerë puna për prishjen e objektit.
Dy ekskavatorët që patën nisur prishjen nga kati i 11 kanë ndalur punën në katin e gjashtë.


Mësohet se shkak për ndërprerjen e punës janë bërë temperaturat e larta të këtyre ditëve dhe pritet që shembjet në lartësi të nisin së shpejti.
Pas përfundimit të prishjes, që nisi nga lartësia për të zbritur në katet e poshtme të do të fillojë rindërtimi i pallatit në të njëjtin vend, me qëllim akomodimin e familjeve të prekura nga tërmeti në një godinë të re, të projektuar me standarde dhe kushte bashkëkohore.
Por nëse për këtë pallat është hapur drita jeshile për rindërtimin e tij, për 4 godinat e tjera shumëkatëshe të lagjes nr.5, të cilat Instituti i Ndërtimit i përcaktoi me dëmtime të shkallës DS5 nuk ka asnjë projekt konkret për shembjen apo rindërtimin e tyre.


Të braktisura prej 7 vitesh tashmë, njëra prej tyre është kthyer në vatër ndotjeje ambientale. E mbushur me mbeturina dhe e përmbytur nga uji i ndotur në katin nëntokë, kjo godinë është shqetësimi kryesor për komunitetin e zonës.


Në një tjetër godinë 11 katëshe, mbyllja me llamarina e katit përdhe duket një zgjidhje provizore për të frenuar kthimin e tij në një venddepozitimi mbetjesh. Ndërkohë, një godinë 6 katëshe e inklinuar rrezikon të përfundojë e mbështetur tek pallati ngjitur me të.
Ndërsa në nëntor të këtij viti mbushen 7 vite nga tërmeti shkatërrimtar, në Durrës pasojat e tij mbeten ende evidente dhe pa zgjidhje.
M.B.





