Municione, doza kokaine, fara e kubikë kanabis ka zbuluar policia në Tepelenë, duke arrestuar një person dhe proceduar penalisht kryeplakun e fshatit Vasjar.
Policia e Tepelenës dhe ajo e Gjirokastrës kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Liqeni” duke goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike si rezultat i kontrolleve dhe falë informacioneve të ardhura nga qytetarët.
Si rezultat i operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.J., 26 vjeç, banues në Sarandë.
26-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë në vendin e quajtur “Liqeni i fshatit Levan”, Memaliaj, ku në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi disa doza me lënë të dyshuar kokainë, një sasi të konsiderueshme fara cannabis sativasi dhe kubikë të kultivuar me fara canabis sativa. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar.
Gjithashtu po në kuadër të kontrollit të pandërprerë të territorit, si pasojë e presionit të Policisë duke ushtruar kontroll të pandërprerë, në një zonë të pyllëzuar në territorin e fshatit Vasjar, nga shërbimet e Policisë Memaliaj gjatë kontrollit të territorit u gjetën të hedhura 350 fishekë luftarak, lëndë narkotike canabis sativa dhe kubikë me fara cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për shtetasin B.LL., me detyrë kryeplak i fshatit Vasjar, Bashkia Memaliaj, për “Shpërdorim detyre”. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.





