Ervis Martinaj, i arrestuar për vrasjen në ish-Bllok, ka lënë qelinë e burgut. Martinaj ishte një nga të arrestuarit për përplasjen në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe i plagosur Eljon Hato.
Mësohet se Martinaj ka fituar lirinë në në këmbim të një garancie pasurore. Vendimi për lirimin e tij është marrë gjatë ditës së djeshme nga Gjykata e Tiranës.
Burime të Prokurorisë e konfirmojnë lajmin, ndërsa pritet që të ekzekutohet vendimi i togave të zeza. Për ngjarjen e ndodhur 6 muaj më parë, në lokalin e Redi Popeskut, Prokuroria mori në hetim 8 persona.
Nga këta, 4 janë lënë të lirë me masën “detyrim paraqitje”, një tjetër me garanci pasurore, dy vazhdojnë të jenë në kërkim, ndërsa në burg mbahej vetëm Ervis Martinaj. Në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi vitin e kaluar në zonën e ish-Bllokut, aktualisht janë të shpallur në kërkim vetëm dy persona, Mevjol Bilo dhe Eldi Dizdari. Komando Mevjol Bilo, sipas dosjes së Prokurorisë është personi që ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vrarë Fabian Gaxhën dhe ka plagosur Ervis Martinajn e Eljon Haton.
Ndërsa biznesmeni Eldi Dizdari ishte identifikuar nga grupi hetimor disa ditë pas ngjarjes, por vetëm në mesin e muajit nëntor Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e ka shpallur në kërkim, pasi nuk e ka gjetur në banesë. Oficerët që kanë kryer verifikimet në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor te ish-Blloku, kanë siguruar të dhëna që flasin për një krisje marrëdhënie mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit.





