Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar sot masën "arrest me burg" për 47-vjeçarin Arben Xhetani, i arrestuar një ditë më parë për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në Selitë.
47-vjeçari rezulton të jetë filmuar nga katër kamera sigurie që ndodhen pranë zonës, ku mbeti i vrarë ish-polici Bilali. Në kamera Xhetani shihet teksa largon një pistoletë nga vendi i ngjarjes, pistoletë e cila dyshohet të jetë e autorëve të krimit apo edhe e vetë viktimës edhe pse më herët i arrestuari kishte mohuar të kishte lidhje me pistoletën e gjetur në vendin e ngjarjes.
Arben Biliali u ekzekutua pranë shtëpisë së tij me 10 plumba, ndërsa familja e tij ishte në konflikt dhe e ngujuar. 50-vjeçari po kthehej në shtëpi me një makinë tip "Golf 4", ku po udhëtonte si pasagjer.
Makina e tij është vënë në ndjekje nga 2 atentatorët që udhëtonin me një “Benz” të zi. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u ndoq për rreth 9 kilometra që prej kryqëzimit të “Vasil Shantos” deri në rrugën “Daniel Ndreka” ku kishte shtëpinë.





