Detaje të reja kanë dalë pas arrestimit të dy shtetasve Arsen Stojku dhe Mislim Rama, nga policia e Shkodrës, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali.

Të dy këta shtetas akuzohen si bashkëpunëtor në vrasjen e Ibrahim dhe Astrit Bilali ndërsa mbi ta rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” ndërsa është shpallur në kërkim edhe shtetasi Ibrahim Lici, i dyshuar si autor kryesor në vrasje dhe shtetasi D.B i dyshuar për “përkrahje të autorit”.

“BalkanWeb” shkruan se pas arrestimit janë marrë në pyetje por kanë mohuar se kanë lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Prej disa orësh ka vijuar seanca e pyetjeve për detajet e vrasjes, por Arsen Stojku dhe Mislim Rama kanë mohuar të gjitha akuzat duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur me 30 mars në Shkodër.

Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se Arsen Stojku dhe Mislim Rama kanë lyer me bojë makinën e cila është përdorur në vrasjen e Ibrahim dhe Astrit Bilalit. Pas vrasjes së dy vëllezërve në lagjen Kiras, pak metra më tutje policia gjeti një makinë që po digjej. Zjarrfikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe makina nuk u dogj në brendësi. 

Pas akteve të ekspertizës në mjet u gjetën gjurmë sipas prokurorisë të dy shtetasve Arsen Stojku dhe Mislim Rama. Këta dy shtetas janë të afërm të personit në kërkim Ibrahim Lici ndërsa ky i fundit nga prokuroria dhe policia dyshohet si autori kryesor. Për Ibrahim Licin, në mjetin e sekuestruar nga policia nuk ka gjurmë të tij por ai dyshohet si autor i vrasjes, kjo edhe nga përgjimet telefonike dhe ambientale që janë bërë pas kësaj ngjarje të ndodhur.

Policia dhe prokuroria kanë vijuar marrjen në pyetje të dy të arrestuarve të cilët dyshohet se kanë lyer makinën me të cilën është kryer vrasja por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat duke mohuar gjithçka dhe duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen dhe as dijeni për çfarë ka ndodhur.